Korçë, 22 mars 2014 – Babai i dehur pas grindjes me të birin ka rrëmbyer sëpatën dhe e ka qëlluar teksa ky i fundit ishte në gjumë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në lagjen nr.8 të qytetit të Korçës. Nga të dhënat e para mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një grindje mes babait dhe djalit pasi ky i fundit i kërkonte vazhdimisht të atit të linte alkoolin.
 
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se Alban Sejderasi 18 vjeç është qëlluar në kokë me sëpatë teksa ishte në gjumë nga babai i tij Thoma Sejderasi 52 vjeç. Sipas policisë 52-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur në momentin që ka ngritur sëpatën ndaj të birit. 

Ndërkohë 18-vjeçari ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe pritet të niset drejt Tiranës për të marrë një ndihmë më të specializuar mjekësore. Policia ka vënë në pranga 52-vjeçarin Sejderasi.