Durrës, 21 mars 2014– Me rastin e 75-vjetorit të lindjes, Durrësi nderoi një nga personalitetet e qytetit antik, një prej inxhinierëve novatorë në fushën e projektimeve të konstruksioneve të makinerive teknologjike. Titulli “Nderi i qytetit” iu rezervua këtë herë inxhinierit dhe pedagogut të njohur Ismail Hamiti. Në aktivitetin e zhvilluar me rastin e festës së pranverës, 21 marsit, inxhinierit Hamiti iu dorëzua titulli i nderit nga vetë kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako. Ndërsa falenderoi Hamitin për gjithë kontributin që ka dhënë dhe vazhdon të japë ndër vite për qytetin bregdetar, kryetari Dako deklaroi se Durrësi do t’i vlerësojë gjithmonë njerëzit e punës si inxhinier Hamiti, që kanë ditur të ngrenë lart vlerat e qytetit dhe që kanë arritur me pasionin dhe vullnetin për punën të realizojnë arritje të rëndësishme për zhvillimin e qytetit mijëravjeçar dhe jo vetëm. Ndërkohë inxhinier Ismail Hamiti, ende i palodhur dhe plot pasion për punën megjithë vitet që mban mbi shpinë, është shprehur i nderuar nga respekti i treguar nga qyteti, ku ai shkeli për herë të parë në moshë fare të njomë, e ku u rrit e u formua si njeri e intelektual i njohur. Gjate mbremjes kushtuar inxhinier Ismail Hamiti u shfaq edhe nje material filmik, qe pasqyronte jeten dhe karrieren e personalitetit te njohur, arritjet e rendesishme ne profesionin e tij dhe kontributin e dhene per zhvillimin e qytetit te Durresit si gjate viteve te rinise se tij ashtu edhe tani ku deshira per pune nuk i eshte zbehur aspak. Ne ceremonine e dhenies se titullit "Nderi i qytetit" inxhinierit Ismail Hamiti ka qene i pranishem edhe deputeti i PDIU-së Tahir Muhedini, si dhe drejtues te larte vendore e qendrore ne Durres si dhe shume qytetare durrsake.  

 

Kush është Ismail Hamiti?

Ismail Hamiti lindi më 9 prill të vitit 1939 në fshatin Dolan të rrethit të Filatit, Çamëri. Ashtu si mijëra bashkëpatriotë të tij ai u detyrua së bashku me familjen të përjetonte në vitet e para të jetës kalvarin e vuajtjeve dhe braktisjes së vendlindjes si pasojë e genocidit të forcave reaksionare greke ndaj çamëve. Mësimet e para i mori në shkollën “Bajram Curri” në plazh, ndërsa shkollën e mesme e kreu ne politeknikumin “7 Nëntori”, ish “Harry Fultz” në Tiranë në vitin 1958. Në përfundim të saj me rezultate maksimale mori diplomë te shkëlqyer të teknikut të mesëm mekanik. Studimet e larta i përfundoi në vitin 1966 në universitetin e Tiranës me rezultate shumë të mira dhe u diplomua inxhinier mekanik.

 

Projektues i ekskavatorit të parë shqiptar D-500.

Fillimet e tij të para në profesionin e teknikut të mesëm mekanik janë në Ndërmarrjen e Bonifikimeve Durrës, ku mori nocionet e para praktike profesionale. Më pas vijoi punën si inxhinier prodhimi në vitin 1966 e projektimi në administratën e N.SH.R.M. ku u konsolidua me një kualifikim profesional-shkencor. Ballafaqimi me problemet teknike të prodhimit, e orientoi drejt kërkimit të rrugëve të zgjidhjeve efikase ku vlen të përmendet  vënia në jetë e një organizimi të ri në teknologjinë e riparimit të makinave të ndërtimit. Një moment i shënuar në karrierën dhe arritjet profesionale të inxhinier Hamitit është projektimi dhe zbatimi i prodhimit të Eskavatorit të parë shqiptar D-500. 

 

Kualifikimet profesionale jashtë shtetit dhe pedagog i palodhur

Në vitin 1972 kryen një vizitë në Republikën e Kinës në kuadrin e një marrëveshjeje për bashkëpunimin tekniko-shkencor midis dy shteteve. Në fund të vitit 1977 dhe në filiim të vitit 1978 kalon në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes si specialist projektimi makinerish. Punon në fushën e projektimeve të konstruksioneve të makinerive teknologjike deri në vitin 1992. Që nga viti 1967 ka dhënë mësim në sistemin pa shkëputje nga puna në fillim në shkollat e mesme e më pas në filialin e Durrësit të Universitetit të Tiranës.                                                                                                            

 

Angazhimi në Partinë Demokratike                                                                              .     

Ndryshimi  i sistemeve e gjen inxhinier Ismail Hamitin në grupin e parë të anëtarëve dhe themeluesve të degës së Partisë Demokratike për Durrësin dhe njëkohësisht kontribues të rëndësishëm të krijimit të shoqatës politike atdhetare Çamëria. Po në këtë vit përzgjidhet për të kandiduar si deputet në listën e Partisë Demokratike. Emërohet në detyrën e kryetarit të seksionit të industrisë të komitetit pluralist të kohës e në vazhdim drejtues i seksionit Ekonomik të këshillit të rrethit Durrës. Në vitin 1994 fillon punë si drejtor i flotës tregtare shqiptare. Në vazhdim e deri në daljen në pension punon në Bashkinë e Durrësit.  

 

Pensioni nuk ia ndërpret dëshirën për punë                                                                                                                                                                 

Megjithëse ka dalë në pension prej vitesh dhe mund të shijonte komoditetin që të fal shkëputja nga marrëdhëniet e punës, ky nuk ishte rasti i Ismail Hamitit. Angazhimi me punë shërben për këtë inxhinier të palodhur si katalizator për ta mbajtur të ri dhe plot energji. Që nga viti 1999 ka qenë dhe është pjesë e rëndësishme e kompanisë A&I Design, kompani e themeluar nga i biri, arkitekti Indrit Hamiti. Në këtë kompani ka mbuluar sektorët  e instalatorëve në fushën e projektimit dhe njëkohësisht çështje të administrimit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/