TEUTA – BESA   1-0
Golat: Idrizaj 67′
 

TEUTA: Rizvani, Idrizaj, T.Osmani (R.Hoxha 75′), Hoxha, Da Silva, Ahmataj, Nika, Batha, Hodo, Kalu (Shala 72′), Joel, Xhafaj (Cyrbja 57′). Trajner: I.Biturku
 

BESA: G.Lika, Ramadanaj (Kullolli 46′), Stafa (Collaku 57′), Jashanica, A.Hoxha, Dita, Bajaziti, Celhaka, Haliti, Deliallisi (Mancaku 74′), Guri. Trajner: A.Mergjyshi
 

Gjyqtarë: B.Ziri, Gj.Bori, E.Veseli

Durrës, 21 mars 2014 – Teuta ka fituar kundër Besës me rezultatin 1-0 dhe kështu pas plot 8 javësh në kampionat pa fituar, por me barazime të njëpasnjëshme durrsakët më në fund arrijnë të fitojnë në Niko Dovana. Te durrsakët, Dosti dhe Samb ishin mungesa të rëndësishme, megjithatë pjesa tjetër e skuadrës ishte gati për këtë sfidë dhe arriti ta kalojë me sukses këtë derbi fqinjësh, duke gjetur fitoren e munguar prej plot 8 javësh kampionat.

Loja nisi e qetë dhe pa shumë ngacmime në portat respektive. Kështu kalojnë dhjetë minutat e para, derisa durrsakët zgjohen dhe nisin ta spostojnë lojën drejt gjysmë fushës kavajase. Dyshja e sulmit, Joel-Xhafaj, gjenden dendur përpara porterit verdhezi, por hezitojnë të godasin dhe nuk kanë shënjestrën e duhur. Rastet e Joel në 14’ dhe 26’, apo të Hodos në 28’, janë shumë të volitshme për Teutën, por nuk finalizohen si duhet. Reagimi i Besës vjen përmes të riut Celhaka në minutën e 36-të. Sulmuesi kavajas godet bukur nga distanca, duke tentuar të njëjtën gjë që bëri ndaj Tiranës në kryeqytet, por topi kalon ngjitur me traun e portës së Rizvanit. Në minutën e 39-të Joel futet në zonën e portës verdhezi, duke u penguar, ç’ka e detyron kryesorin Ziri të akordojë penallti. Kontestojnë miqtë, duke e konsideruar simulim të sulmuesit të Teutës. Merr përsipër ta kthejë në gol Daniel Xhafaj 11-metërshin, por portieri mik, i riu Geri Lika, ka pritur mrekullisht, duke i mohuar golin e 12-të personal në këtë kampionat. Tentativat e durrsakëve vijojnë edhe me Ansi Nikën, që në minutën e 44-t lëshon një predhë drejt portës kundërshtare. Aty reagon bukur portieri Lika, që i thotë “jo” golit në pjesën e parë.

Pjesa e dytë ka nisur me një zëvendësim të menjëhershëm të kavajasve, për t’u pasuar në minutën e 57-të nga dy ndërrime të tjera, nga një për secilën skuadër. Bie në sy ulja në stol e Daniel Xhafajt, që humbi penalltinë, duke ia lënë vendin Çyrbjes. Kalu ka shënuar në minutën e 53-të në portën e Besës, por ka anuluar gjithçka anësori, për pozicion jashtë loje. Moment tepër delikat në portën e Teutës, në minutën e 60-të, Çollaku godet bukur, por po aq bukur reagon edhe Rizvani, që ndal një gol të sigurtë në trekëndëshin e kuadratit të tij. Depërtim në një zonë prej afro 25 metrash, i pashqetësuar nga kavajasit, Idrizaj gjuan tokazi dhe i kalon të tijtë në epërsi. Portieri kavajas e prek pak topin, por nuk eviton dot prekjen e rrjetës në minutën e 67-të. Gjithçka vjen në kohën kur verdhezinjtë kishin iniciativën dhe po bëheshin problematikë për Rizvanin. Minutat e mbetura janë të qeta dhe trajnerët bëjnë të gjitha zëvendësimet e lejuara. Besa mundohet të reagojë e të barazojë, por nuk ia del dot, edhe pse në repartin e përparmë hedh durrsakun Mancaku, një lojtar që ka qenë përcaktues në disa ndeshje për skuadrën e Mergjyshit, sidomos në minutat e fundit.

Teuta luajti për më shumë se 10 minuta me një lojtar më pak, pasi Çyrbja, i futur në pjesën e dytë u dëmtua në kohën kur Biturku i kishte kryer të tria zëvendësimet e lejuara. Teuta nuk e shijonte trepikëshin që në javën e 17-të të Superiores, kur fitonte thellë me rezultatin 6-2 ndaj lushnjarëve (më 2 shkurt). Ky triumf, i beftë gjithsesi, bën që “djemtë e detit” të këmbejnë vendet me kavajasit. Kjo është fitorja e parë e trajnerit Ilir Biturku që kur u ul në stolin durrsak, pas largimit të italianit Sorrentino. Me 36 pikët e grumbulluara deri tani, Teuta pozicionohet në vendin e pestë, me një pikë më pak se Kukësi, ndërsa kavajasit janë në vendin e 6-të, me 33 pikë. Në pritje të ballafaqimeve të skuadrave të tjera për këtë javë të kampionatit, “djemtë e detit” kthejnë fletën dhe mendojnë tashmë për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, që do ta luajnë kundër Kukësit të mërkurën e ardhshme.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/