Tiranë, 21 mars 2014 – Kreu i Kuvendit, Ilir Metaka deklaruar sot rëndësinë e madhe që ka për vendin reforma territoriale e administrative duke inkurajuar një takim mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha.
“E çmoj ftesën që kryeministri Edi Rama i ka bërë kreut të opozitës, Lulzim Basha për të garantuar konsensus të plotë në zhvillimin e reformës administrative dhe shpresoj që kjo ftesë të realizohet dhe shpresoj të takohen sa më shpejt që të forcohet bashkëpunimi”,- u shpreh kryeparlamentari Ilir Meta sot në një konferencë për shtyp.
Sipas Metës, nëse arrihet konsensusi, qytetarët do të kenë që në zgjedhjet e ardhshme vendore të votojnë në një proces vendor të mirërganizuar.
“Jam i i bindur se kjo është një reformë në interes të vendit dhe për të gjithë qytetarët tanë që presin një pushtet më efikas, që të ofrojë shërbime më cilësore. Unë mendoj se komisioni parlamentar për reformën administrative-territoriale të vihet plotësisht në punë në mënyrë që të arrijmë edhe me aleatët tanë ndërkombëtarë që po e mbështesin këtë reformë që shumë shpejt të kemi një produkt konsensual në kohën e duhur në mënyrë që qytetarët tanë në zgjedhjet e ardhshme vendore të kenë mundësinë të votojnë në një proces vendor të organizuar që i përgjigjet shumë më mirë nevojave dhe kërkesave që ata kanë në mënyrë të vazhdueshme”,- tha Meta.
Etika në Parlament, Meta: Shpresoj që opozita të reflektojë
Kryetari i Parlamentit Ilir Meta shprehu sot keqardhjen për gjuhën që u përdor në Parlament një seancë më parë. Meta i bëri thirrje opozitës që të reflektojë dhe e ftoi të ketë një qasje konstruktive dhe jo bllokuese në Kuvend.
“Dua të shpreh keqardhjen time që opozita po ndjek një qasje jokonstruktive që nuk është dhe i shërben Kuvendit, si një forcë e rëndësishme në demokracinë parlamentare dhe duhet të reflektojë në Kuvend dhe kjo për pritmëritë e përfaqësimit të qindra mijëra qytetarëve që kanë e kanë votuar opozitën. Dje ka pasur një qasje jokonstruktive për të mos thënë dekonstruktive dhe shoh se ka një interes të vazhdueshëm në emër të demokracisë, në emër të rregullores për të bllokuar funksionimin normal të Kuvendit”,-deklaroi kryetari i Kuvendit.
SHISH, Meta: Nuk dua të jep pjesë e debatit, por aktorët të vetëpërmbahen
I pyetur sot gjatë një konference për shtyp në lidhje me Shërbimin Informativ Shtetëror, kreu i Kuvendit Ilir Meta u shpreh se nuk dëshiron të bëhet pjesë e këtij debati por inkurajoi aktorët institucionale të jenë sa më të përmbajtur.
“Lidhur me debatin i takon SHISH unë nuk do të dëshiroja të bëhesha pjesë e këtij debati publik. Në bindjen time protagonizmi i tepruar në këtë çështje, nuk i shërben qëllimit të përbashkët të gjithë aktorëve publikë, për të rritur efikasitetin e punës së këtij shërbimi të rëndësishëm për të rritur sigurinë e vendit, në rritjen e luftës ndaj terrorizmit. Prandaj shpresoj dhe inkurajoj të gjithë aktorët të sillën në mënyrë sa më të përmbajtur dhe institucionale kur bëhet fjalë për një çështje të tillë”,- tha Meta.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





