Tiranë, 21 mars 2014– Deputeti i PD-së, Ridvan Bode ka akuzuar kryeministrin Rama për fshehje të termave të marrëveshjes me Fondin Monetar, që parashikojnë rritje të reja të taksave dhe futjen e taksave të reja, për shkak të performancës së dobët të qeverisë dhe përkeqësimit të shpejtë të ekonomisë.
Në një deklaratë nga selia e PD-së, Bode theksoi se qeveria ka folur vetëm për përfitimin e 330 ml eurove në 3 vjet dhe jo termat dhe shqetësimet e FMN-së për zhvillimet në vend. Performanca e dobët e qeverisë, mungesa e reformave dhe amullia që ka sjellë në ekonomi qeveria Rama, për shkak të paaftësisë dhe klientelizmit, do sjellë rritje të reja taksash pasi rritja e taksave, bërë në dhjetor të vitit të shkuar për vitin 2014 ka dhënë rezultate të pamjaftueshme”,- tha Bode.
Deputeti demokrat ka numëruar taksat që propozohen, duke iu referuar raportit të FMN-së, për të cilat qeveria nuk ka folur, madje edhe i ka mohuar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





