Tiranë, 21 mars 2014 – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, Drejtorin e SHISH-it, Visho Ajazi Lika dhe Prokurorin e Krimeve të Rënda, Eugen Beci. Takimi kokë më kokë me krerët e këtyre institucioneve nisi rreth orës 11:00 të paradites së sotme në ambjentet e Presidencës dhe zgjati rreth 1 orë.

Qëllimi i këtij takimi ishte informimi mbi goditjen dhe parandalimin e veprimtarisë së grupeve radikale për dërgimin e qytetarëve shqiptarë në luftën në Siri. Krerët e këtyre institucioneve do japin të dhëna mbi personat e arrestuar dhe hetimet e deritanishme për ta e të tjerë të dyshuar, për terrorizëm e rekrutim të shqiptarëve për luftën në Siri.

Pas takimit, asnjëri nga të pranishmit nuk dha detaje për mediat. Zyra e shtypit të Presidencës zbardhi detajet disa orë pas takimit.
Zyra e shtypit të Presidentit bëri me dije se Presidenti Nishani u informua për iniciativat ligjore që po ndërmerren në mënyrë që në të ardhmen ky fenomen të jetë i ekspozuar ligjërisht në ndihmë të Sigurisë Kombëtare të vendit. 

“Duke kërkuar shpejtësi dhe cilësi në hetim dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët, Presidenti i Republikës vlerësoi punën e kryer deri më tani nga organet kompetente ndaj fenomeneve që lidhen me organizimin, financimin dhe dërgimin e shtetasve shqiptarë për të luftuar në Siri”,- citon njoftimi për shtyp i Presidentit. 

“Kreu i shtetit Nishani shprehu mbështetjen e plotë për gjithçka që ka lidhje me këtë proces, por edhe me procese të tjera që kanë të bëjnë me forcimin e sigurisë kombëtare dhe luftën ndaj korrupsionit”,- përfundon njoftimi i Presidencës. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/