DURRËS, 21 mars 2014 –  Rikthehen shkollat e natës, qeveria shqiptare shpalli në Durrës kualifikimin dhe trajnimin e administratës doganore (doganat dhe tatimet janë krahët me të cilat shteti u shërben njerëzve të biznesit; ne kemi ndërtuar një projekt dhe në muajt prill, maj e qershor e gjithë trupa e doganierëve dhe tatimorëve dhe e inspektorëve të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit dhe çdo trupe tjetër që lidhet direkt apo indirekt me eksportuesit dhe importuesit, do të shkojnë në shkollë nate, ndërkohë që do të punojnë ditën, tha Rama).

Dhe një gjë normale, sikurse është përmirësimi i Kodit Doganor, është kthyer nga Kryeministri dhe shpura e tij në një shou mediatik në portin kryesor të vendit.

Në paraditen e 21 marsit 2014 u paraqit në Durrës Kodi i ri Doganor, që do të hyjë në fuqi më 1 janar 2015.

Ishin të pranishëm kreu i qeverisë Edi Rama, ministri i Financave Shkëlqim Cani, drejtorja e përgjithshme e Doganave Elisë Spiropali, përfaqësues nga shoqata e transportuesve etj. 

Për Kryeministrin Edi Rama 21 marsi 2014 na qenkësh “një ditë e shënuar në marrëdhëniet mes shtetit dhe biznesit”, me një “qasje tërësisht të re ndaj biznesit”.

Rama tha se do të bëhet përgatitja e të gjithë administratës doganore për sfidën e madhe, atë të ndryshimit të marrëdhënies së sipërmarrjes, me doganierë të standardeve të Bashkimit Evropian, të cilët do të dërgohen në shkollë nate.

Kreu i Doganave Elisë Spiropali tha se Kodi Doganor është lehtësim për biznesin.

 “Një biznes që regjistrohet si operator ekonomik i autorizuar pastaj ka një sërë lehtësirash, siç është lëvizja e mallrave në kohën që janë në magazinim të përkohshëm”, tha kryedoganierja e Shqipërisë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/