/ATSH-Gëzim Kabashi/

 

Durrës 21 mars 2014 – Prof. Fatos Tartari ka prezantuar mbrëmjen e kaluar rezultatet e ekspeditës studimore franko-shqiptare mbi terrakotat e Artemisës së Dyrrahut. Në takimin që u zhvillua në Klubin e artit dhe kulturës në Durrës u paraqit gjithashtu edhe seria postale e pullave “Artemisi i Durrachionit”.

Prof. Tartari tha se nga repertori tipologjik i gjetur në qytetin antik janë përzgjedhur për pullat postare 6-7 forma të përfytyrimit të hyjneshës apo i terrakotave, që i kushtohen asaj dhe që përfaqësojnë atributet më të rëndësishme të saj në qerthullin ilir. Prof. Tartari tha se për 10 vjet radhazi, që nga viti 2003 një mision i përbashkët franko-shqiptar punoi për studimin e materialit arkeologjik të zbuluar nga arkeologu i mirënjohur Vangjel Toçi, në zonën kodrinore të Dautes dhe Kokomanes në veriperëndim të qytetit. Pranë kësaj zonë sipas të gjitha gjasave ndodhej sanktuari i hyjnisë së Artemisës dhe materialet arkeologjike datohen që nga shekulli i 6-të para erës sonë. Gjatë ekspeditave të viteve 1970-1971 u zbuluan mbi 5 ton objekte të periudhave klasike, helenistike dhe romake, mes të cilave mbizotërojnë figurinat e grave prej balte të pjekur, enët dhe monedhat. Ekspedita studimore u kujdes për identifikimin dhe klasifikimin e këtij materiali të bollshëm. Një pjesë e këtyre objekteve janë ekspozuar në muzeun e ri arkeologjik të Durrësit.

Projekti që u zbatua nga Instituti i Arkeologjisë në Tiranë, Shkolla franceze e Athinës dhe Universiteti i Lilës (Francë) është vlerësuar me çmimin e parë CLIO 2005, çmim që mundësoi edhe botimin e fashikullit të guidës në gjuhën shqipe, e më pas edhe në gjuhët frënge dhe angleze.

Në 28 faqet e guidës së publikuar tashmë në tre gjuhë ka informacion të bollshëm mbi jetën ekonomike e sociale të qytetit ilir të Durrësit, foto të objekteve arkeologjike si dhe planimetri të vendndodhjeve të monumenteve kryesore të zbuluara apo që ndodhen nën sipërfaqe në qytetin 3000-vjeçar.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/