Tiranë, 21 mars 2014 – Edhe në arsimin e lartë publik njësoj si edhe në atë privat, provimet e mbartura do të kenë një kosto financiare për studentët. Konfirmimi vjen nga vetë fakultetet të cilat sqarojnë se të gjithë studentët që ndjekin studimet në master shkencor apo profesional, mundësinë për të dhënë sërish të njëjtin provim do ta përfitojnë nëpërmjet një pagese. Vendimi i marrë u jep mundësinë studentëve për t’u testuar sërish për sezonin e ardhshëm të provimeve kundrejt pagesës. Të njëjtën mundësi e kanë edhe studentët që nuk kanë mundur të rezultojnë kalues në një apo më shumë provimeve brenda dy sezoneve të provimeve.
Sipas vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave mundësinë për të dhënë sërish një provim e kanë edhe studentët që ndjekin nivelin e studimeve master. Në varësi të tarifave të përcaktuara nga universitetet, studentët mund të bëjnë edhe pagesën e tarifës nëpërmjet kësteve. Në përfundim të ciklit normal të studimeve, studentët që nuk kanë pasur mundësi ta mbarojnë atë program studimesh, detyrohen të paguajnë tarifën e përcaktuar për kreditet, e cila përcaktohet nga viti në të cilin jepet provimi, apo provimet e lëndëve të mbartura. Mendohet që shuma që çdo student do t’i duhet të paguaj për një provim do të jetë 1500 lekë për provim.
Vendimi i qeverisë për vendosjen e një kostoje shtesë për çdo provim të mbartur lidhet me koston e lartë që vetë universitetet duhet të mbulojnë me pagesat e pedagogëve dhe mundësitë teknike që ata duhet të krijojnë.
Penalizimi i studentëve nëpërmjet një kostoje shtesë për secilin prej tyre që rezulton ngelës në një lëndë të caktuar është një praktikë që aplikohet gjerësisht në universitetet private në vend. Nëpërmjet kësaj kostoje financiare të vendosur për studentët, nuk synohet thjesht penalizimi i secilit prej tyre, por kërkohet edhe rritja e interesit dhe frekuentimi më i lartë i auditoreve.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





