Tiranë, 20 mars 2014 – Etika parlamentare lë mjaft për të dëshiruar. Fjalori i përdorur shpeshherë nga deputetët në akuzat dhe kundër akuzat e shkëmbyera mes tyre shumë pak i ngjan gjuhës që duket përdorur në foltoren e parlamentit. Seanca e sotme parlamentare ka qenë e mbushur me ofendime, të përdorura këto kryesisht nga deputetët e opozitës kundrejt kryeministrit Rama apo kolegëve të tyre të mazhorancës.
Ndërsa ish kryeministri Sali Berisha iu drejtua pasardhësit të tij në këtë post, Edi Ramës me etiketimin “zhuls e pervers”, një tjetër përfaqësues i së djathtës vendosi rekord duke përdorur 7 herë fjalën “llapë” brenda pak fjalive. Ishte ish-ministri i Rendit, Flamur Noka, ai që e shqiptoi këtë fjalë jo pak herë.
“Kur ne flasim për rritje çmimesh ai zotëria aty qesh, nxjerr llapën, kur ne flasim për një çështje tjetër, ai nxjerr llapën, u bë si Ver Llapa. I mësoni etikën, mos nxjerrë llapën, të ikë nga roli i Shaban Qoses e Ver Llapës. Mban llapën nxjerrë, ja e nxorri llapën!”,- u shpreh deputeti Flamur Noka, ndërsa gishtin e drejtonte nga foltorja, ku ishte ulur kabineti qeverisës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





