19 mars 2014 – Gjumi me celularin pranë në dhomën e gjumit, krijon probleme gjatë tij. Ky fakt pohohet nga ekspertët pas një sërë studimesh të ndryshme. Sipas ekspërtëve, fjetja me celularin pranë stimulon supervigjilencën.

Në këtë mënyrë celulari mund të stimulojë probleme të ndryshme, si pagjumësia. Kjo vjen për shkak të dritës së ekranit, pasi drita që del nga telefoni ka ngjyra të ndryshme, ku dominon ajo blu, e cila i bënë qelizat e retinës më të ndjeshme të cilat kësisoj i dërgojnë mesazhe trurit.

Këshillohet që së paku në orët e gjumit celulari të mbahet sa më larg dhe të përdoret sa më pak. Kjo pasi në mënyrë të pavetëdijshme, kur kemi telefonin pranë shtratit mendja jonë stimulohet që ta kontrollojë herë pas here, duke krijuar atë që quhet “kërcënim nga vigjilenca”.

Është ky përfundimi i një studimi të drejtuar nga doktor Orfeu Buxton, i Division of Sleep Medicine, Department of Medicine, në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/