Tiranë, 18 mars 2014 – Partia Demokratike akuzon kryeministrin Rama për bllokimin e çdo informacioni në lidhje me largimet nga administrata. Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi tha se nga informacioni i kërkuar  dhe i dhënë deri tani në rrugë zyrtare rezulton se janë larguar rreth 1 mijë nëpunës.

“Kryeministri Rama ka frikë nga publikimi i së vërtetës skandaloze që ka prekur rreth 7 mijë nëpunës të administratës dhe familjet e tyre dhe pritet të prekë mijëra të tjerë. Ai ka frikë nga reagimi i opinionit publik dhe protesta qytetare. Bazuar në Rregulloren e Kuvendit dhe në Ligjin për Statusin e Deputetit, deputetët e Partisë Demokratike i kanë kërkuar informacion të gjitha ministrive mbi largimet nga puna dhe rekrutimet e reja në administratën e tyre dhe të institucioneve të varësisë. Ky informacion është kërkuar më datë 19 shkurt dhe afati është vetëm 15 ditë, pra data 6 mars. Deri më sot, informacioni është dhënë vetëm nga dy ministra pa portofol dhe pa administratë si dhe nga tre ministri. Vetëm nga ky informacion shumë i pjesshëm dhe i paplotë, rezulton se janë larguar rreth 1 mijë nëpunës”,- deklaroi Bylykbashi. 

Sipas deputetit demokrat në Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet e saj të varësisë, deri më datë 25 shkurt raportohen zyrtarisht rreth 800 të larguar mbi bazën e Aktit Normativ Antikushtetues.

“Ndërkohë Ministria e Financës dhe ajo e Kulturës kanë raportuar vetëm për aparatin e ministrisë, pa përfshirë institucione si doganat dhe tatimet, ku janë shkarkuar qindra punonjës të tjerë që përfitojnë statusin sipas ligjit të ri. Ky informacion shqetësues detyroi kryeministrin Rama të aplikojë Kodin e Heshtjes që miratoi që në fillim, me të cilin vulos si sekret çdo informacion që i tregon publikut paudhësitë e tij. Ndërkohë që bën maskaradë publike duke deklaruar se nuk do pranojë militantë në administratë, kryeministri Rama, në kundërshtim me ligjin, i ka urdhëruar të gjithë ministrat e tjerë që të mos i dërgojnë përgjigjet deputetëve të opozitës pa u kontrolluar dhe censuruar nga zyra e kryeministrit. Ky urdhër është i njëjtë me atë për bllokimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrezoi Aktin Normativ për Nëpunësit Civil. Ai ka frikë nga partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të vendimit për statusin e vendit kandidat në qershor. Kjo është shkelje e rëndë e ligjit dhe cënim i rëndë i kompetencës kontrolluese dhe mbikëqyrëse të Kuvendit, dhe në mënyrë të veçantë, i opozitës. Rritja dhe forcimi i kontrollit parlamentar është kërkesë e Bashkimit Europian, dhe bllokimi i paligjshëm që po bën Kryeministri Rama, shkel këtë kërkesë themelore për demokracinë parlamentare. Partia Demokratike i bën thirrje kryeministrit të heqë menjëherë censurën e paligjshme, të lejojë marrjen e informacionit nga deputetët dhe siguron opinionin publik se do t'i shkojë deri në fund të vërtetës së masakrës ndaj administratës publike dhe do të mbrojë të drejtat dhe dinjitetin e të gjithë punonjësve që nëpërkëmben nga kjo qeveri”,- deklaroi Bylykbashi. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/