Serbi, 18 mars 2014– Darko Shariç, i njohur si “mbreti i kokainës në Ballkan”, është arrestuar sot në një aksion të përbashkët të policisë së Malit të Zi dhe Serbisë, raportojnë mediat në Beograd. Aksioni është udhëhequr nga ministrat e Drejtësisë të Serbisë dhe Malit të Zi, Nikolla Selakoviç dhe Dushko Markoviç. Shariç, me origjinë malazeze, por me shtetësi serbe, akuzohet për tregti droge dhe pastrim të shumave të mëdha të parave në Evropë dhe Amerikë. Shariç ishte në krye të një karteli të madh droge aktiv në Ballkan dhe Amerikën e Jugut. Ai ishte shpallur në kërkim që nga viti 2009, pas sekuestrimit në Uruguaj në 2.8 tonelatave kokainë, të cilat kishin si destinacion disa vende të Evropës perëndimore. 

Gjithashtu, Shariç përflitet edhe për lidhje me qarqe të caktuara politike serbe. Vitin e kaluar mediat lokale raportuan për një takim të krahut të tij të djathtë dhe kryeministrit Ivica Daçiç. Në të njëjtën kohë është përfolur se grupi I tij kriminal kishte hartuar një plan për eleminimin e ish presidentit serb, Boris Tadiç, i cili konsiderohej prej bandës si shkatërrimtari i aktivitetit të tij kriminal.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/