Durrës, 17 mars 2014– Nazmi Maxhuni (në foton kryesore bashkë me futbollistin e famshëm gjerman Gerd Myler) është një ish futbollist durrsak mjaft i njohur, i cili ka luajtur me ekipet e Besës dhe Lokomotivës në vitet ‘60-70. Maxhuni e nisi karrierën si futbollist me ekipin e Besës së Kavajës, që në atë kohë ishte skuadër elitare në futbollin shqiptar. Pas disa vitesh, ai kaloi me ekipin Lokomotiva të qytetit të Durrësit, ku ka luajtur deri në fund të karrierës së tij. Nazmi Maxhuni mbahet mend nga sportdashësit si mbrojtës tepër energjik që kryente jo vetëm detyrat mbrojtëse, por edhe mbështetës i fuqishëm i sulmit. Për disa vite rresht ka qenë kapiten i ekipit, ndërkohë që njihet gjithashtu edhe si një ndër dashamirësit më të mëdhenj të futbollit gjerman.
Fillimet e karrierës
Karrierën e tij futbollistike, Nazmi Maxhuni e nisi me ekipin e Besës së Kavajës, ekipin e një qyteti të dhënë mjaft pas futbollit. Ja si i kujton vetë Maxhuni filimet e tij: për fillimet e veta në futboll: “Për mua aktivizim quhet aktivizimi me ekipin përfaqësues të qytetit. Në fakt unë fillova të luaj fillimisht me ekipin e Besës së Kavajës. Ishte kënaqësi e madhe të luaje me këtë ekip, të një qyteti që jetonte me plot kuptimin e fjalës, me futbollin. Kudo, në punë, në lokale e familje nuk flitej veçse për futboll. Kjo atmosferë të detyronte të stërviteshe e të luaje me një mobilizim maksimal për të justifikuar interesimin dhe dashurinë e ambientit sportiv. Përveç kësaj për mua ishte kënaqësi që të luaja së bashku me figura të shquara të futbollit kavajas si Hasan Germani, Qemal Gavardi, Dhimitër Dimrosi e me bashkëmoshatarët e rinj Xhavit Daiu, Seit Lilamani, Ali Kariqi që mbeten edhe sot krenaria dhe simboli i futbollit kavajas. Pas dy vitesh të shërbimit të detyrueshëm ushtarak që kreva me skuadrën e “Korabit” të Peshkopisë, atëherë në kategorinë e I-rë, u vendosa në Durrës dhe luajta me ekipin e Lokomotivës. Aty gjeta një ambient shumë miqësor. Djem të afrueshëm, me humor dhe të dashur. Edhe tek ky ekip pata fatin të luaja me futbollistë të afirmuar, si në qytetin e Durrësit, ashtu edhe në përfaqësime ndërkombëtare si A.Duma, N.Bespalla, T.Ciko, O.Grami etj. Ne ishim një grup që u shquam në fakt për mbrojtjen e fortë që pësonte shumë pak gola. Kishim difekt se nuk ishim konstantë në paraqitjen tonë dhe nga ana tjetër me ekipet e mira ishim mjaft të fortë dhe ishte e zorshme që të na mposhtnin”.
Besa dhe Lokomotiva
Nëse i kërkon të bëjë një krahasim mes dy ekipeve tek të cilat u rrit dhe u zhvillua si futbollist, Maxhuni nis e analizon në mënyrë profesionale arritjet dhe mangësitë qoftë të Besës, qoftë të Lokomotivës. “Besa shquhej për lojë mjaft teknike dhe me theks sulmues. Lokomotiva kishte tendencë për lojë mbrojtëse e me theks fizik. Ndonëse kishte lojtarë cilësorë, ndonjëherë vuante për impenjim maksimal në stërvitje dhe ndeshje. Për mendimin tim sezoni i plazhit ishte me influenca negative për ekipin”,- shprehet ish-futbollisti.
Një nga momentet që ai i kujton me nostalgji edhe sot e kësaj dite, ishte përballja e parë me tij me ekipin e Besës, ndërsa tashmë ishte angazhuar në rradhët e Teutës së Durrësit. Duke ditur rivalitetin e kahershëm mes dy ekipeve, por dhe faktin se Mazhuni kishte luajtur me të dyja skuadrat përballja për të nuk ishte aspak e lehtë, veçanërisht në planin emocional.
“E paharrueshme mbetet për mua ndeshja në Kavajë më 31 maj 1964 me “Besën”. Ishte hera e parë që luaja me Lokomotivën kundër Besës dhe skuadra kavajase po kalonte një periudhë të shkëlqyer. Ne po ushtronim presion të furishëm dhe në tre kundërsulme arritëm të shënonim dy gola dhe në fund Besa megjithëse shënoi një gol, e humbi ndeshjen. Mbaj mend se në dy raste me sakrifica nuk e kam lejuar topin të kalojë vijën fatale. Mbaroi ndeshja, hoqëm uniformën sportive, bëmë dush, u veshëm dhe kur dolëm nga dhomat e veshjes, pashë se gjysma e tribunës nuk ishte boshatisur ende nga tifozët. Ishin ende të çuditur dhe të dëshpëruar për humbjen që ndodhi. Në fakt edhe unë jam ndjerë shumë i dëshpëruar që në një farë mënyre edhe unë isha shkak i atij dëshpërimi të tifozëve kavajas”,- thotë Maxhuni.
Trajnerët dhe kolegët
Në kujtimet e tij, ashtu sit ë çdo futbollisti tjetër, një vend të veçantë zënë trajnerët me të cilët ka punuar përgjatë gjithë viteve të karrierës si dhe shokët e ekipit apo futbollistët kundërshtarë në fushën e lojës.
“Çdo trajner ka lënë shenjat e veta në skuadër. Por unë fillimisht do të përmend Skënder Dedjen, i cili në Kavajë vuri themelet e stërvitjes e të luajturit me koncepte shkencore e të përparuara. Gjatë ndeshjes bënte ndërhyrjet e duhura që jepnin rezultate pozitive, siç thuhet në gjuhën sportive, dinte të lexonte lojën që zhvillohej. Dua të përmend Zihni Gjinalin. Ajo që e dallonte veçanërisht nga të tjerët ishte këmbëngulja që futbollistët të realizonin ato që kërkonte ai. Ai vuri disiplinë e rregull në mënyrë të admirueshme pasi skuadra funksiononte si repart ushtarak në kuptimin e mirë të fjalës. Mbi të gjithë do kujtoja Loro Boriçin, trajner e njeri i shkëlqyer. I kompletuar profesionalisht, çdo moment jetonte me futbollin të cilin e njihte deri në qelizë. Unë personalisht kam ruajtur me të lidhje miqësore shumë të fortë pas futbollit që mbetet ndër kujtimet e mia më të bukura. Për kundërshtarët e mi direkt, e them me sinqeritet, ruaj respekt të madh për nivelin e tyre të lartë sportiv e njerëzor. Shumica ishin ndër më të mirët ne ekipet e tyre. Do veçoja Panajot Panon, Mehdi Zhegën, Saimir Dauti, Bahri Ishka, Enver Ibershimi etj”,- kujton Maxhuni.
Tifoz i “thekur” i Gjermanisë
Në rrethet futbollistike, Nazmi Maxhuni nuk njihet vetëm si futbollist, por edhe si një nga fansat më të zjarrtë në Durrës i futbollit gjerman. Kur nis të flasë për Gjermaninë, sytë e tij ndriçohen sepse ka me se të mburret. Disa nga momentet e tij më të bukura janë jo vetëm ato kur ka ndjekur i entuziamuar ndeshjet e përfaqësueses apo ekipeve gjermane përmes televizorit, por edhe kur i ka ndjekur ato live në Gjermani dhe është takuar me shumë nga emrat e njohura të futbollit gjerman.
“Po ju them se nuk jam tifozi më i madh i futbollit gjerman. Njoh shumë adhurues të këtij futbolli që gëzohen e dëshpërohen më shumë se unë nga rezultati i skuadrave gjermane. Unë jam bërë i njohur sepse kam bërë shumë polemika me kundërshtarët e futbollit gjerman. Kam marrë pjesë në emisione sportive televizive në disa kanale shqiptare, madje edhe si tifoz. Debate të ndezura dhe shumë të mira janë bërë në TV Shijak me drejtuesin e emisioneve Veli Rada. Fakti që Gjermania është 7 herë finaliste e kampionateve botërore dhe 5 herë e atyre evropiane, nga të cilat ka fituar 3 herë titullin Kampion Bote dhe 3 herë titullin Kampion Europe, kuptohet që kënaqësitë kanë qenë të shumta. Kënaqësi tjetër ka qenë për mua ardhja e një gazetari sportiv gjerman në shtëpinë time. Ai u mahnit kur ka parë se unë shtëpinë e kisha si muze të vërtetë të futbollit gjerman. Biseduam gjatë dhe kjo bisedë u botua në gazetën spotive gjermane “Sport Bild”. E befasishme dhe e mrekullueshme ishte edhe vizita që kam bërë në Gjermani me ftesë të klubit bavarez Bayern të Munihut ku qëndrova 8 ditë. Ato ditë pashë nga afër funksionimin e klubit, pashë ambientet dhe terrenet e shkëlqyera. Ndoqa edhe ndeshjet Bajern-Barcelona, e vlefshme për ligën e Kampioneve dhe derbin Bajren-Kaiserslauten. Pas ndeshjes Bajern-Barcelona, të veçanta kanë qenë takimet dhe fotografitë që bëra me Gerd Myler, K.H.Rumenige, U.Hënes dhe O.Hitzfeld. Më vonë kam shkuar dhe kam parë ndeshjet Bajern-Real dhe Bajern-Milan si dhe ndeshjen Gjermani-Shqipëri, që u luajt në Leverkusen”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





