Durrës, 15 mars 2014 – Dy persona janë plagosur rëndë, nga të cilët njëri prej tyre ka humbur jetën, pasi u qëlluan me armë zjarri dhe mjete të forta pasditen e sotme në Durrës. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Kënetës. 50 vjeçari Anton Ndoi ka qëlluar mbi dhëndrin dhe krushkun e tij, pasi këta të fundit i kishin kthyer në shtëpi vajzën. Duket se pas një konflikti bashkëshortor, dhëndri dhe babai i tij, banorë në lagjen nr.14 të Durrësit, kanë marrë nusen e shtëpisë dhe e kanë kthyer në shtëpinë atërore.

Por veprimi duket se u ka kushtuar shtrenjtë. Babai i nuses, Anton Ndoi, lindur në Mirditë dhe banues në zonën e ish-Kënetës, sapo ka marrë vesh çfarë ka ndodhur ka qëlluar me çifte dhe mjete të forta drejt dhëndrit dhe krushkut. Policia bën të ditur se të plagosur kanë mbetur shtetasit Përparim Hoxha, 52 vjeç dhe Xhulian Hoxha, 24 vjeç. Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Durrësit, por edhe pas ndërhyrjes së mjekëve, 52 vjeçari ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë djali i tij, Xhuliani është nën kujdesin e mjekëve. 

Ndërkohë policia ka shoqëruar shtetasin Andon Ndoi, i dyshuar si autor i vrasjes së një shtetasi dhe plagosjes së një tjetri. Grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet e ngjarjes së rëndë.

(Vijon)

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/