Durrës, 15 mars 2014“Simona, Kejsi dhe Sidni zbaviteshin në Shqipëri, shkonin atje një herë në vit, në verë, për të takuar të afërmit. Luanin me kushërirat në Kukës dhe kishin shumë mikesha”. Këto janë fjalët e Bashkim Dobrushit, babait të tre vajzave të vrara nga nëna e tyre, i cili shpjegon kështu arsyen e varrosjes së tyre në Shqipëri. “Në Kukës vajzat nuk do jenë asnjëherë të vetmuara, shumë persona do shkojnë tek varret e tyre, shumë do të shkojnë…”,- vijoi më tej ai, para se të linte një ditë më parë Italinë, vendin ku vajzat e tij po rriteshin e po shkolloheshin deri në atë natë të 8 marsit, kur jeta e Simonës, Kejsit dhe Sidnit u ndërpre tragjikisht nga dora e nënës së tyre.

Varrimi në Kukës

Trupat e pajetë të Simonës, Keisit dhe Sidnit kanë mbërritur në fshatin Shën Mëri të Kukësit, ku iu është dhënë edhe lamtumira e fundit. Qindra banorë të Kukësit, familjarë dhe të afërm të Edlira Dobrushit, ishin të pranishëm gjatë ceremonisë mortore. Një përshëndetje e fundit u është dhënë vajzave edhe nga fëmijët e shkollës së fshatit Shën Mëri, me të cilët shpesh kishin kaluar pushimet e verës. Ndërkaq, një i afërm ka lexuar letrën e shkruar nga babai i tyre Bashkimi, për vajzat. Ceremonia e lamtumirës ishte parashikuar për në orën 14:00, por vonesa e tragetit nga Italia dhe më pas rruga nga Durrësi në Tiranë e shtyu atë për në orën 16:00. Trupat e pajetë të tri vajzave  mbërritën në portin e Durrësit rreth orës 11:30 të ditës së sotme, ku priteshin nga shumë familjarë dhe të afërm. 

Edlira Dobrushi

Edlira Çopa, 37- vjeçarja që vrau tri vajzat e saj, është e aftë të kuptojë dhe të gjykojë.Ajo nuk ka vuajtur nga probleme mendore, çka na bën të dyshojmë se ka ditur çfarë po bënte në momentin e krimit të trefishtë”. Këto fjalë janë shkruar nga gjykatësi italian, Paolo Salvatore, në urdhrin për arrestin e nënës së tri të miturave, që u ekzekutuan me thikë të shtunën e shkuar. Ai ka caktuar që gruaja të qëndrojë në gjendje arresti, por për momentin në spital, jo në burg, deri në përmirësimin e gjendjes fizike të saj. Edlira Çopa (Dobrushi) akuzohet për vrasje të trefishtë. Pas meshës së kryer në qytetin e Lecco-s, edhe besimtarët myslimanë kanë kryer një falje për shpirtrat e të miturave. Në prani të kryebashkiakut e klerit katolik është bërë falja për Simonën, Keisin dhe Sidnin.

Viktimat e kësaj tragjedie nuk janë vetëm vajzat, por edhe familja dhe e tërë shoqëria”, tha imami që drejtonte faljen. Ai u shpreh se, “kjo tragjedi mund të ishte evituar nëse do të ishim më të hapur mes nesh”.

Mediat italiane kanë zbardhur masën e sigurisë të dhënë ditën e enjte nga trupi gjykues në Lecco të Italisë për 37-vjeçaren, si dhe arsyetimin pse ajo duhet të qëndrojë në burg. “Në këto moment nuk ka elemente që të bëjnë të nxjerrësh përfundim në probleme mendore të gruas. Ajo nuk kurohej nga probleme psikike, ndërsa dhe dëshmitarët flasin për një person normal dhe pa shqetësime të tilla, edhe pse kohët e fundit kishte ndodhur ndarja. Gjithashtu edhe psikiatri që po e ndjek nga momenti i shtrimit në spital, pas tentativës së vetëvrasjes së saj, thotë se gruaja është në gjendje të kthjellët dhe të qëndrueshme”, u shpreh prokurori Valter Mapeli. Sipas përfaqësueses së akuzës, Silvia Zanini, bëhet fjalë për një “çmenduri të qartë”, ajo e Edlirës që pasi vrau me thika tre fëmijët e saj, shtriu në shtratin bashkëshortor vajzat dhe qëndroi për 4 orë mes pellgut të gjakut, tha se e kishte bërë për t’u evituar atyre një të ardhme aspak të denjë. “Është një arsyetim absurd ky i dhënë nga Edlira Çopa”, vazhdon komentin e tij prokurori.

Edlira Çopa pritet që vetëm më vonë t’i nënshtrohet ekspertizës psikike nga një grup mjekësh, për të vendosur mbi gjendjen e saj. Nga e diela, kohë kur ajo u shtrua në spital me plagë të rënda, 37-vjeçarja u operua tri herë, por tani mjekët flasin për përmirësim të ndjeshëm të gjendjes së saj. Pritet që pas disa ditësh ajo të ketë reagimin e parë zyrtar mbi ngjarjen e rëndë, e cila tronditi mbarë Italinë dhe Shqipërinë. Që nga dita e djeshme, Edlira Çopa ka mbetur e vetme në qytetin e Lecco-s, pasi ish bashkëshorti, bashkë me arkivolet e tri vajzave të masakruara, u nis drejt Shqipërisë, ku sot u kyer edhe varrimi i tre motrave, në varrezat e fshatit të lindjes së babait të tyre, Bashkim Dobrushit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/