SHBA, 15 mars 2014 – Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër narkotikeve Shqiperia cilësohet një vendburim për marijuanën e destinuar për tregjet evropiane, por edhe për konsumin vendas. Raporti citon se gjatë 2013-ës volumi i lëndës narkotike të prodhuar, arrestimet dhe bllokimet e tyre mbeten në nivele të larta sidomos sa i takon kanabis sativas. Përmiresimi i trajnimit dhe teknikave policore duke përfshirë edhe analizen e riskut në pikat e kalimit kufitar ka çuar në rritjen e sasisë së bllokuar të lëndës narkotike dhe arrestimeve në këtë drejtim.
Bazuar në sasinë e bllokuar të lëndës narkotike prodhimi lokal i marijuanës mbetet në nivele të larta megjithëse nuk ka vlerësime të sakta se sa është kultivimi total. "Duke përjashtuar kanabisin, Shqipëria nuk është një prodhues i rëndësishëm i drogave të jashtëligjshme si përbërësit kimikë dhe drogat sintetike. Qeveria shqiptare nuk ka bazë të saktë të dhënash se sa është përdorimi i drogës, por duket se konsumi i hashashit në Shqipëri nuk është një dukuri e zakonshme. Pavarësisht kultivimit të lartë të kanabisit, gjatë vitit 2013, Shqipëria ka arritur rezultate në luftën kundër trafikimit të drogës".
Raporti citon të dhënat e Policisë së Shtetit dhe statistikat e saj sipas të cilave gjatë vitit 2013 janë sekuestruar rreth 33 ton kanabis, ndërsa një vit më parë kjo sasi e sekuestruar ishte 21.2 ton. Ndërsa është bërë e mundur që gjatë 2013-ës të sekuestrohen edhe 47.3 kilogramë heroinë dhe 16.1 kg kokainë. Policia e Shtetit sëbashku edhe me policinë kufitare arrestoi 803 persona të lidhur me trafikun e drogës, ndërsa në vitin 2012 numri i të arrestuarve ishte 729.
Në vitin 2013, Prokuroria e Krimeve te Rënda hetoi 276 raste për trafikimin e lëndëve narkotike ku nga ky total, 87 ishin çështje të trajtuara nga viti i mëparshëm dhe 189 ishin çështje të ardhura për shqyrtim gjatë vitit 2013. Po gjatë këtij viti Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi për gjykim 63 çështje të lidhura me lëndët narkotike dhe Gjykata e Krimeve te Rënda mori 83 vendime duke i shpallur fajtor të akuzuarit. Qeveria shqiptare vazhdon të marrë asistencë nga SHBA dhe Shtetet Europiane për të rritur aftesitë në luftën kundër narkotikëve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





