DURRËS, 14 mars 2014 – Në Plepa, ku ndodhet Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD), ka njëfarë lehtësimi pas provave që iu bë pajisjeve të prodhuara nga kompania “Lockheed Martin” me anë të një destrojeri të Marinës amerikane.
Nëpërmjet një njoftimi në faqen e vet në FB, ambasada amerikane në Tiranë bëri të ditur se më 12 mars 2014 një destrojer i marinës amerikane kaloi nëpër ujërat territoriale shqiptare, si pjesë e një stërvitjeje të përbashkët me ushtrinë shqiptare dhe partnerët e forcimit të shtetit ligjor.
Anija ndoqi një kurs të vetëm, shumë larg bregut të detit, veproi si objektiv bashkërendues teksa kaloi transit zonës, duke ndihmuar Shqipërinë për të provuar Sistemin e Integruar të Vëzhgimit të Ujërave Detare (Integrated Sea Surveillance System), riparuar kohët e fundit – një grup pajisjesh radari, që diktojnë anijet në det nga bregu.
Uashingtoni deklaroi se “stërvitja ishte shembull tjetër i marrëdhënieve të shkëlqyera midis ushtrisë amerikane dhe asaj shqiptare, si dhe partnerëve të forcimit të shtetit ligjor”.
Në këtë njoftim dygjuhësh (anglisht dhe shqip; “Dyrrah”-u i referohet versionit anglisht për saktësim terminologjie ushtarake) tërheq vëmendjen fakti se SHBA-ve u intereson jo vetëm aspekti ushtarak, por edhe ndihma ndaj forcave të rendit në luftën kundër trafiqeve në det, duke kontribuar në forcimin e stabilitetit në Shqipëri.
Nuk është e rasti që një stërvitje rutinë më 25 shkurt 2014 në QNOD u ndoq jo vetëm nga kreu i Mbrojtjes Mimi Kodheli, por edhe i ngarkuari me punë i SHBA-ve në Tiranë Henry V. Jardine (në foto). Në atë stërvitje u improvizuan situata të përafërta me ato në det, kryesisht operacione të kërkim-shpëtimit dhe zbatimit të ligjshmërisë detare, parandalimit të trafiqeve të ndryshme të lëndëve narkotike, mallrave dhe qenieve njerëzore.
Më 19 shkurt 2014 ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ka ardhur në QNOD për të parë nga afër pajisjet e monitorimit të detit, pas rivënies në punë të 9 radarëve.
Më parë komanda e forcës detare kishte njoftuar se sistemi i integruar i vëzhgimit të hapësirës detare, në këto momente gjendet jashtë parametrave të gatishmërisë tekniko-operacionale (80% jashtë gatishmërie).
Burime nga ministria e Mbrojtjes bëjnë të ditur për shqetësimet që kishin agjencitë e shërbimeve sekrete amerikane nga paralizimi i radarëve kur ishte ministër Arben Imami.
Ambasada zotëron informacione për trafik armësh dhe droge nga njerëz të lidhur me ish-qeverinë e kaluar.
Po ashtu Uashingtoni nuk do të lejojë kurrsesi destabilizim të Shqipërisë për shkak të rritjes së krimit të stimuluar artificialisht nga politizimi i opozitës së sotme.
Info
Korporata amerikane “Lockheed Martin Global INC (LMGI)”, ka pajisur SIVHD-në (Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare shqiptare).
Në vijën bregdetare, në të cilën funksionon sistemi i integruar i vëzhgimit detar, përfshihen pjesë nga ujërat e brendshme detare, deti territorial, zona fqinjë (në vazhdim), zona ekonomike ekskluzive.
Elementet e sistemit të SIVHD-së konsistojnë në sistemin e ndërlidhjes dhe informacionit, sistemin e sensorëve të vëzhgimit të hapësirës detare, qendrat dhe elementet e përpunimit të informacionit, sistemin e identifikimit automatik të objektivave detarë dhe programet kompjuterike të integrimit dhe shfaqjes së informacionit në monitorë etj..
Projekti për sigurimin e një sistemi të integruar të vëzhgimit të hapësirës detare realizon zbulimin, identifikimin dhe monitorimin e veprimtarisë së anijeve të tonazheve të ndryshme në hapësirën detare shqiptare dhe planëzimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit, duke përdorur teknologji bashkëkohore.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





