Pakistan, 14 mars 2014 – Një vajzë e re pakistaneze, e cila u përdhunua në janar të këtij viti nga 4 burra, i ka vënë flakën vetes në shenjë proteste pas lirimit nga gjykata të përdhunuesve të saj. Amina Bibi, 18 vjeç, vdiq duke i dhënë fund vuajtjeve të saj, shkruajnë mediat pakistaneze dhe ato ndërkombëtare. Bibi ishte sulmuar nga 4 persona në janar të këtij viti dhe në mesin e dhunuesve kishte qenë edhe një anëtar i familjes. Një gjykatë në Pakistan e mbylli rastin e saj të enjten duke u bazuar në një raport policor i cili thoshte se vajza nuk ishte përdhunuar.
Ky vendim gjyqësor, sipas vëllait të së ndjerës, ishte shumë i rëndë për vajzën e cila i dha fund jetës duke i vënë flakën trupit të saj. Amina Bibi i hodhi vetes benzinë në të dalë të një stacioni policie, në qytetin e Muzaffargarh, në provincën lindore në Punjab. Megjithë tentativat e mjekëve për ta shpëtuar, vajza e re kishte pësuar djegie të shkallës së lartë në të gjithë trupin. Rasti i Aminës nuk është i vetmi. Sulmet seksuale dhe të dhunës në familje janë shumë të përhapura në Pakistan.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





