Kavajë, 14 mars 2014 – Kryeministri Rama dhe ministri Veliaj kanë ndërmarrë një tur përurimesh zyrash pune në disa bashki si psh. Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat etj. Përurimi i rradhës ishte zyra e punës në qytetin e Kavajës. Ky përurim do të ishte një ngjarje rutinë, nëse nuk do të vihej re një mungesë e çuditshme. Nëse në përurimet në qytete të tjera merrnin pjesë deputetë socialistë të qarkut si edhe pushtetarë lokalë socialistë, në Kavajë u ndje mungesa e tyre. Kur u përurua zyra e punës në Durrës, në ceremoni mori pjesë kryebashkiaku Dako, i cili mbajti edhe një fjalim përshëndetës, merrnin pjesë 5-6 deputetë e deputete socialiste të Qarkut Durrës etj.
Kryetari karizmatik i Bashkisë së Kavajës z. Elvis Roshi, një nga përkrahësit më të fortë dhe aktivë të Ramës në opozitë, kësaj rradhe mungonte në ceremoninë e përurimit. U tha nën zë se kryebashkiaku ishte jashtë shtetit për një vizitë private. Një kontroll i shpejtë nëpërmjet sistemit TIMS Card, provoi se z. Roshi realisht ishte larguar drejt Italisë. Një moskoordinim i tillë është mëse i kuptueshëm duke pasur parasysh edhe mënyrën se si punon kabineti i Kryeministrit Rama.
Mungesa në ceremoni e deputetit socialist kavajas Parid Cara është me të vërtetë enigmatike. Deputeti Cara ishte një nga protegete e Ramës në fushatën elektorale të vitit 2013. Ai njihej si një biznesmen i suksesshëm dhe një filantrop i vërtetë në Itali. Deputeti në momentin e përurimit të zyrës së punës gjendej në Kavajë dhe merrte pjesë në një aktivitet rutinë me biznese fasone, që zhvillojnë aktivitetin në territorin e Bashkisë së Kavajës. Deputeti Cara rreth 30 minuta pas mbylljes së ceremonisë së përurimit të zyrës së punës u pa në shoqërinë e Ministrit Veliaj, ndërsa bashkëbisedonte me përfaqësues të biznesit fason në Kavajë.
Duket pak si e habitshme një koincidencë e tillë e dyfishtë. Nëse nuk është koincidencë kjo mungesë, atëhere me plot gojën mund të themi se ka një krisje ndërmjet Kryeministrit Rama dhe hierarkëve socialistë lokalë si Kryebashkiaku Roshi apo deputeti i Partisë Socialiste, kavajasi Parid Cara.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





