Tiranë, 14 mars 2014– Këtë vit më shumë se çdo herë tjetër festa e Ditës së Verës mori përmasa kombëtare. Në të gjithë vendin është kremtuar kjo ditë. Qytetarët të nxitur edhe nga fakti se është ditë pushimi dhe nga moti mjaft i mirë kanë shfrytëzuar bukuritë e natyrës.

Qyteti i Elbasanit, ku është edhe zemra e festës, prej ditësh i kishte nisur festimet, duke kulmuar sot me koncerte dhe Panairin e përvitshëm të Ditës së Verës. Qyteti ka pritur qindra qytetarët, mes tyre edhe liderët krysorë të vendit, kreun e qeverisë, Edi Rama, kreun e opozitës, Lulzim Basha, kryeatrin e Kuvendit, Ilir Meta, etj.

Tirana këtë vit u bë gjithashtu kryeqendër festimesh, me shumë aktivitete të Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë. Moti i mirë në të gjithë vendin e ktheu këtë në një ditë të vërtetë vere, ku me qindra qytetarë mbushën sheshet dhe parqet kryesore të qytetit.

Prej orëve të para të mëngjesit, Bulevardi u popullua nga grupmosha të ndryshme falë edhe temperaturave mjaft optimale ndërsa tezkat pranë anash rrugës hodhën rrënjë duke ofruar produkte nga më të ndryshmet. 

Banda frymore në orën 10.00 parakaloi në Bulevard duke lajmëruar edhe nisjen e festimeve, por simbolikisht edhe ardhjen e verës. Bashkia e Tiranës me një program të ngjeshur aktivitetesh ofron shumëcka, ndërsa edhe qeveria kishte organizuar aktivitet për këtë ditë festive, fëmijet ishin ata që shijuan më shumë këtë ditë pasi në shumë sheshe qendrore, pantonimet, Teatri i Kukullave, por edhe muzika popullore dhe veshjet tradicionale u përkisnin atyre. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/