Itali, 12 mars 2014 – Pas tragjedisë së të dielës, që shokoi Italinë dhe Shqipërinë, kryebashkiaku i Lecco-s, Virginio Brivio, e ka shpallur ditën e nesërme një ditë zie “në shenjë mbështetjeje për familjarët e 3 motrave Dobrushi, por njëkohësisht edhe si një mundësi për të sensibilizuar komunitetin e Lecco-s”. Administrata komunale i ka bërë apel të gjitha shkollave dhe institucioneve që të mbajnë një minutë heshtje në orën 12. Mbrëmjen e së enjtes do të bëjnë homazhe pranë arkivoleve të tre vogëlusheve konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Milano, prefekti i Lecco-s, presidenti i provincës si dhe kryebashkiaku i Lecco-s.
LAMTUMIRA
Një turmë e madhe njerëzish, italianë, shqiptarë, fëmijë ka qenë pasditen e sotme në sallën e qendrës së pritjes “Casa sul Pozzo”, përballë xhamisë së Chiuso-s. Babai i vajzave, Bashkim Dobrushi, i rrethuar nga familjarët, ka shkuar aty rreth orës 16.00. Në dhomën përballë tre arkivoleve të vegjël ishte vendosur një foto gjigande e tre vajzave. Ndërkohë në hyrje të qendrës valëvitej një poster i madh ku ishte shkruar “Mirupafshim” dhe sipër shkrimit ishin vendosur fytyrat e qeshura të Sidnit, Keisit dhe Simonës.
Shumë shokë shkolle të vajzave kanë lënë mesazhe, vizatime dhe zemra me ngjyra. “Na vjen keq për ju dhe na vjen keq që nëna juaj ishte e sëmurë”,- lexohej në një nga mesazhet e shkruara. Thuajse të gjithë të pranishmit sollën buqeta me lule të bardha për tre vogëlushet e masakruara, varrimi i të cilave do të bëhet në Shqipëri.
EDLIRA DOBRUSHI
Ndërkohë sot pasdite në gjykatën e Lecco-s u dha masa e arrestit për Edlira Dobrushin, 37 vjeçaren shqiptare që vrau me thikë tre vajzat e saj të moshës 13,10 dhe 3 vjeç e më pas tentoi të vriste edhe veten. Në deklarimet e saj të para, Edlira pati pohuar para hetuesve se e ndërmorri këtë akt për shkak të dëshpërimit sepse ishte lënë nga burri i saj dhe për këtë arsye donte t’i ruante vajzat nga një e ardhme e pa shpresë.
Sipas disa burimeve spitalore, Edlira Dobrushi, pasi i është nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjikale për shkak të prerjeve në krahë, është ende në një gjendje të turbullt. Tani për tani është ende e vështirë të kuptohet nëse bëhet fjalë për një personalitet psikopatologjik, ose nëse është ende nën një stres të tmerrshëm, i shkaktuar prej aktit të ndërmarrë prej saj.
PROKURORI
Një masakër. Ky është përcaktimi që jep prokurori i Lecco-s, Walter Mapelli, për vrasjen e trefishtë, të konsumuar natën mes së shtunës dhe të dielës. Në pritje të marrjes së përgjigjeve të autopsive të kryera një ditë më parë në spitalin e Lecco-s, Mapelli pohon se natën kur u regjistrua vrasja e tre motrave dikush telefonoi në sallën operative. Simona mesa duket tentoi të mbrohet. Një telefonatë e shkurtër, vetëm disa çaste, me zhurma dhe zëra në sfond që të bëjnë të mendosh se Simona ndërmori një tentativë të dështuar për të ndalur marrëzinë e së ëmës. Një tentativë që u ndal nga dora e nënës së saj…
/m.b. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





