Nju Jork, 12 mars 2014 Të paktën dy persona kanë gjetur vdekjen dhe 18 të tjerë kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi dhe më pas shembja e dy godinave në Harlemin lindor në Nju Jork.  Departamenti i Policisë së Nju Jorkut njoftoi se godinat janë shembur rreth orës 09:15 minuta me orën lokale, ndërkohë që shembja është paraprirë nga një shpërthim i fuqishëm që tronditi zonën. 

Shkak i shpërthimit mendohet se është një rrjedhje gazi në katin e fundit të njërës nga ndërtesat. Sipas një banoreje të zonës ajo kishte ndjerë erën e gazit që disa javë më parë. Autoritetet amerikane bëjnë të ditur se në orën 09:13, gjithnjë me orën lokale, është marrë një telefonatë që raportonte për rrjedhjen e gazit. 

Dy minuta më vonë mendohet se ka ndodhur shpërthimi. Flakët kanë përfshirë menjëherë ndërtesat, ndërsa tymi i ngritur qindra metra në qiell shkaktoi panik në të gjithë zonën. Kaosi fillestar çoi në hamendësime për një sulm terrorist dhe risolli në kujtesën e amerikanëve sulmet e 11 Shtatorit.  

Qindra forca policie dhe të zjarrfikëses mbërritën në 166th Street në Park Avenue. Zjarrfikësit aktivizuan nivelin më të lartë të alarmit, ndërsa qarkullimi i trenave dhe metrove në Grand Central u ndërpre. 

“Dy ndërtesa janë rrëzuar. Shpresoj të mos ketë qenë njeri brenda tyre. Gjithçka është rrënuar”, citohet prej CNN një dëshmitar nga vendi i ngjarjes. Sipas tij disa njerëz që ndodheshin në godina në momentin e shpërthimit janë parë të fluturojnë jashtë dritareve. Sipas disa të tjerëve shpërthimi që dëgjuan i ngjante atij të një bombe.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/