Itali, 12 mars 2014– Një ceremoni e hapur për të gjithë do të mbahen pranë banesës ku tri vajzat shqiptare jetonin me nënën e tyre. Funerali i tri motrave të vrara nga nëna e tyre do të mbahet në Shqipëri, ndërsa një ceremoni gjithashtu do të organizohet në xhaminë e Lecco-s. Por xhamia nuk do të jetë e hapur vetëm për të afërmit dhe besimtarët myslimanë. Kreu i qendrës islamike thotë se mund të marrin pjesë nëse dëshirojnë dhe përfaqësues të besimit të krishterë.

Familja Dobrushi është myslimane, por vajzat kanë ndjekur katekizmin dhe ishin afër Karitasit. Vendimi për një ceremoni të tillë është marrë nga familja Dobrushi. Babai i vajzave dhe xhaxhai i tyre kanë kërkuar leje në xhami për organizimin e një ceremonie të tillë.

“U thashë se vajzat do të shkojnë në parajsë”, shprehet Moez Sampti, kreu i qendrës islamike “Assalam”. “Ishte një tragjedi e tmerrshme si rezultat i mungesës së dialogut. Kam bindjen se nëse nëna do të kishte bashkëbiseduar, ndoshta asgjë nga e gjitha kjo nuk do të kishte ndodhur”,- thotë ai.

Gjithashtu, po sot do të mbahet një lutje në bazilikën e Shën Nikollës, organizuar nga Imzot, Franco Cecchini. Takimi do të jetë i hapur për të gjithë, "katolike dhe jo". Në këtë lutje, folës do të jenë dhe disa nxënës nga tri motrat shqiptare.

"Ne do të lutemi për tri motrat, por edhe për nënën e tyre, kjo grua nuk duhet të gjykohet. Nuk është në dorën tonë për të shprehur një opinion mbi gjestin e saj”, shprehet Cecchini. Simona 13 vjeçe, Keisi 10 dhe Sidni 3 vjeçe do të prehen në Shqipëri. Ceremonia e përcjelljes së tyre për në banesën e fundit ende nuk është vendosur se kur do të mbahet.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/