Tiranë, 12 mars 2014 – Në Tiranë të vdekurit nuk do kenë vend për t’u varrosur. Kjo sepse në varreza kanë përfunduar hapësirat e lira. Ndërmarrja e Shërbimit Funeral njoftoi sot zyrtarisht ezaurimin e të gjitha hapësirave edhe në varrezën e Tufinës, pasi në atë të Sharrës janë ezauruar prej kohësh.
Bashkia e Tiranës pohon në një deklaratë për shtyp se prej muajsh shqetësimi i është përcjellë qeverisë shqiptare.
“Qeveria vazhdon të mos e marrë në konsideratë këtë shqetësim të qytetarëve të Tiranës. Mungesa e vendimit të qeverisë që i hap rrugën shpronësimit për interes publik bën të pamundur vazhdimin e kryerjes së ceremonive mortore në të dy varrezat publike të Tiranës në Sharrë dhe Tufinë”,- thuhet në njoftimin e bashkisë.
Bashkia e Tiranës i bën thirrje qeverisë të ndërhyjë sa më parë në zgjidhjen e kësaj situate. “Duke shprehur keqardhjen për situatën e krijuar, i kërkojmë qeverisë të ndërhyjë sa më parë në zgjidhjen e kësaj problematike të krijuar nga bllokimi i saj”,- përfundon njoftimi.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





