DURRËS, 12 mars 2014 – Edhe një durrsak shkëlqen në Italinë e kulturës botërore, teksa dhe blogu “Rai News” i kushton vëmendje një veprimtarie poetike që zhvillohet në Milano në fundjavë me pjesëmarrjen e 6 poetëve, mes tyre të Julian Zharës.
Në Shtëpinë e Poezisë (Casa della Poesia) në Milano, të shtunën më 15 mars 2014, ora 19.30, do të zhvillohet veprimtaria On the road of poetry, kuruar nga Federica Negri Guglielmini: ‘Një makinë e shpejtë, horizonti i largët dhe poezia për të zbuluar dhe dashuruar në fund të rrugës’.
Frymëzuar nga romani “Në rrugë” (On the Road) të shkrimtarit amerikan ikonë e “Beat Generation” Xhek Keruak (Jack Kerouac, 1922-1969), Shtëpia e Poezisë në Milano hap mikrofonin për gjashtë poetë, gjashtë dëshmitarë të brezave të fundit: Mary Barbara Tolusso, Tommaso di Dio, Alessandra Frison, Damiano Scaramella, Gianluca Lattuada, shqiptari Julian Zhara.
Info
Julian Zhara u lind në Durrës më 21 maj 1986.
Ai shkoi në Itali në moshën 13 vjeçare, ka jetuar në Camposampiero (Padova) për 8 vjet.
Është autor i dy publikimeve: Liquori (Ibiskos-Ulivieri 2008) dhe In apnea (Granviale, 2009).
Ka organizuar manifestime të ndryshme poetike, mes tyre edhe festivalin e poezisë Andata e Ritorno a Venezia me revistën Blare Out, ku ka kuruar rubrikën e poezisë.
Që nga marsi i 2012-ës filloi një bashkëpunim me kompozitorin Ilich Molin për projektin “Dunes”, me të cilin arriti midis finalistëve të Premio Dubito.
Poezitë u botuan në antologjinë L’epoca che scrivo, la rivolta che mordo (Agjencia X 2014).
Aktualisht jeton, punon dhe shkruan në Venedik.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





