Fier, 12 mars 2014 – Hajdutët nuk kursejnë as të vdekurit. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, persona ende të paidentifikuar kanë hapur varrin e një vajze, e cila ka ndërruar jetë në vitin 2002, dhe kanë rrëmuar sipër skeleteve duke marrë sendet prej floriri. Më pas dhunuesit kanë tentuar që të hapin dhe një varr tjetër, me qëllim grabitjen. Ngjarja ka ndodhur në varrezat e fshatit Grecalli. Denoncimi për dhunimin e varreve është bërë nga banorët e zonës, të cilët kanë kërkuar që policia të identifikojë dhe të vërë në pranga autorët.

Banorët janë tronditur kur kanë vënë re se ishte hapur dhe grabitur varri ku prehej një 20-vjeçare. Bëhet fjalë për Irena Peton, e cila i ka dhënë fund jetës së saj me fostoksinë dymbëdhjetë vjet më parë. Varri i të ndjerës Peto është i rrethuar me kangjella dhe ka qivur mermeri. Grabitësit kishin hapur një tunel dhe kishin mundur të marrin prej të vdekurës dy unaza dhe një varëse floriri.

Ata ishin përpjekur të hapnin edhe varrin e të ndjerit Leonard Sharra, i cili kishte ndërruar jetë në vitin 2007 në moshën 38-vjeçare. Ndërkohë, burime nga policia lokale deklaruan se pas sinjalizimit për ngjarjen është ngritur një grup pune dhe po punohet për arrestimin e personave që dhunojnë varret. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/