Ukrainë, 12 mars 2014 – Liderët rusë po refuzojnë çdo mundësi negociatash me homologët e tyre ukrainas, bëri të ditur presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksander Turchynov. Ai tha për agjencinë e lajmeve AFP se Ukraina nuk do të ndërhyjë ushtarakisht në Krime, edhe pse referendumi për shkëputje që pritet të mbahet atje është një mashtrim.
Ndërkohë, kryeministri i përkohshëm, Arseniy Yatsenyuk, do të udhëtojë drejt SHBA-ve për t’u takuar me presidentin Barack Obama. Korrespondentët thanë se Yatsenyuk pritet të diskutojë për detajet e paketës së ndihmës prej 35 miliardë dollarësh, që ai thotë se ekonomia e lëkundur ukrainase ka nevojë, për të mbijetuar përgjatë 2 viteve të ardhshme. Të enjten, ai do të flasë para Këshillit të Sigurisë të OKB-së, në New York.
Turchynov, më herët gjatë së martës, bëri thirrje për krijimin e Gardës Kombëtare për të mbrojtur vendin dhe për të dhënë mbështetje ndaj 6000 trupave që janë gati për të luftuar. Ai tha se forca duhet të përfshijë vullnetarë me eksperiencë ushtarake, që do të vihen përballë agresioneve të brendshme dhe të jashtme.
Presidenti foli, ndërkohë që Moska njoftoi ushtrime të tjera ushtarake, përfshi këtu 4000 trupa paraushtarakë, ndoshta ushtrimet më të mëdha të këtij lloji në 20 vitet e fundit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





