Durrës, 12 mars 2014 – Daily Mail i ka kushtuar sot një shkrim Virgjereshave të Betuara të Shqipërisë. Të njohura ndryshe edhe me emrin Burrnesha, këto femra zgjedhin që në moshë të re të vishen dhe të sillen si meshkujt, nuk martohen asnjëherë dhe pjesa më e madhe e tyre janë të vendosura në zonat veriore të Shqipërisë, ku ky fenomen ka qenë i përhapur vite më parë. Virgjëreshat e betuara i mbajnë flokët përherë të prera shkurt si meshkujt, pinë alkool dhe duhan njësoj si ata, mbajnë armë zjarri dhe kanë shoqëri me meshkujt. Daily Mail shkruan se kjo traditë i ka rrënjët që në shekullin XV. Me kanun lejohej që kur një familje humbte të gjithë meshkujt dhe nuk kishte mundësi të linte pas trashëgimtarë, vajza më e madhe e familjes zakonisht merrte atributet e kryefamiljarit, mashkullit të shtëpisë.
Daily Mail i referohet intervistës së 92 vjeçares Qamile Stema (në foton kryesore), dhënë për gazetarin spanjolle Luis Dafos. Stema tregon se vendosi të kthehej në virgjereshë të betuar në moshën 20 vjeçe për të trashëguar tokat e familjes dhe për të mbrojtur 9 motrat e saj pas vdekjes së babait. Ajo e ka kaluar të gjithë jetën e saj në fshatin malor të Baraganeshit. Kur i kërkojnë të bëjë një përcaktim për veten e saj ajo shprehet: Besoj se gjithnjë kam qenë edhe burrë edhe grua.
Sipas Daily Mail, në zonat veriore të Shqipërisë, ku ende një gruaje nuk i lejohet të drejtojë automjetin ose në punojë, të qenit një Virgjereshë e Betuar nënkupton të jetosh jetën në liri, pa iu nënshtruar fatit për t’u martuar që në moshë të re me burra sa trefishi i moshës së tyre dhe për të ngrysur ditët Brenda mureve të shtëpisë.
Ndërkohë 59 vjeçarja Diana Rakipi (foto 2 dhe 3), që jeton në Durrës thotë se vendosi të bëhej Burrneshë në moshën 17 vjeç, sepse gjithnjë i pëlqente të luante me djemtë kur ishte e vogël dhe e ardhmja e saj si grua nuk i përshtatej.
Ajo shpjegon për agjencinë e lajmeve RT se nuk e ka sforcuar asnjëherë veten për t’u bërë burrë. “Ajo që kalova në jetë më dha pamjen e një burri dhe fuqinë e tij. Nuk kishte rrugë tjetër për mua. Në atë kohë gratë në Shqipëri ishin shumë të nënshtruara dhe vetëm burrat shiheshin si të fuqishëm”,- rrëfen ajo.
Pavarësisht një jete të kaluar si virgjereshë, Diana thotë se nëse do t’i jepej mundësia të riniste jetën nga e para ajo do të bënte sërish të njëjtën zgjedhje. “Nuk kam asnjë peng”- thotë ajo për RT.
Por për disa familje nuk ka qenë e lehtë të pranonin se vajza e tyre do të bëhej Virgjëreshë e betuar. 86 vjeçarja Hajdari rrëfen për GQ se vishej si meshkujt që në moshën 6 vjeçare, por kjo gjë nuk i pëlqente së ëmës e për këtë është rrahur shpeshherë. Vetëm në moshën 12 vje0τare, babai i ka lejuar që ajo ta kalonte jetën si mashkull.
Pavarësisht mitit që i shoqëron gjithë jetën, në fund të fundit Burrneshat kalojnë një jetë në vetmi, dhe ndoshta nga ky fakt kjo traditë po shkon drejt zhdukjes. “Vetëm disa Virgjëresha të Betuara kanë mbetur. Shumë njerëz besojnë se ato janë vetëm legjenda mitike. Ndoshta një ditë, në një të ardhme jo shumë të largët ato do të jenë vërtet ashtu”,- e mbyll shkrimin Daily Mail.
/agjencia e lajmeve ”Dyrrah”/





