Australi, 12 mars 2014 – Një vajzë e re tregoi në një program televiziv të televizionit australian Channel 9 se tre vite më parë, gjatë një udhëtimi ajror ajo u ftua së bashku me shoqen e saj nga njëri prej pilotëve të avionit që të qëndronin përgjatë gjithë kohës në kabinën e pilotimit. Jonti Roos tregon se ftesa iu bë pikërisht prej Fariq Ab Hamid, oficerit të parë të avionit MH370, të kompanisë Malaysia Airlines që figuron i zhdukur prej 4 ditësh. Vajza rrëfen se që nga ajo kohë ata e kanë ruajtur miqësinë, madje janë friends në Facebook. Tre vjet më parë, Jonti Roos, me banim në Melburn, ndërsa po priste në radhë për të marrë një fluturim nga Phuket drejt Kuala Lumpurit, u ftua së bashku me një mikeshën e saj nga një pilot për të qëndruar në kabinën e pilotimit.
Vajzat, të cilat sapo kishin përfunduar një udhëtim dy-ditor në Tajlandë, qëndruan në kabinë përgjatë gjithë udhëtimit, përfshi ngritjet dhe uljet, çka është tërësisht e ndaluar nga rregullat e aviacionit. Roos deklaroi se pilotët u treguan miqësorë, ndonëse tymosnin duhan gjatë fluturimit dhe jo gjithmonë ishin të përqendruar në punën e tyre. Për të dëshmuar pretendimet e saj, Roos tregoi një foto së bashku me dy pilotët, midis të cilëve Fariq Ab Hamid, oficeri i parë në fluturimin enigmatik të "MH370".
Ajo theksoi se nuk dëshiron që pilotët të cilësohen si të papërgjegjshëm, por shtoi se mbase ky informacion mund të jetë i dobishëm dhe prandaj vendosi ta ndajë me të tjerët.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





