Itali, 9 mars 2014 – Mesazhi i fundit i postuar në datë 7 mars në Facebook nga Edlira Dobrushi, nëna që mëngjesin e sotëm vrau me thikë tre vajzat e saj të mitura, thotë: “Ai që nuk do të ndihmojë, nuk është as atëherë kur i ulesh pranë. Ai që të ndihmon, të gjendet edhe atëherë kur beson se nuk është”. Një postim që nuk paralajmëron aspak tragjedinë që do të konsumohej brenda mureve të apartamentit të saj…  Eda fliste edhe për humbjen e besimit në një postim të bërë po me datë 7 mars. “Nëse humbni besimin mos e kërkoni, sepse nuk e gjeni më”,- thotë ajo ndër të tjera. Ndoshta ishte pikërisht shpresa që i kishte humbur Edlirës, që në një moment marrëzie kreu një akt të dëshpëruar dhe të dënueshëm.

Ndërkohë një mesazh tjetër, i postuar në datë 25 shkurt, të ngjeth mishin. “Kujto gjithnjë se nuk është thika ajo që të plagos, por dora e atij që ta ngul”,- postonte ajo në Facebook. Sot, kur tragjedia tashmë është konsumuar dhe 3 vajzat e mitura nuk janë më, çdokush mund të shtrojë pyetjen nëse ngjarja e mëngjesit të së dielës ishte paramenduar kohë më parë nga Edlira, apo erdhi ashtu papritmas, në një moment dëshpërimi shkatërrues, pasi ish burri i saj ishte nisur drejt Shqipërisë për t’u lidhur me një tjetër femër apo sepse Edlira mendonte një të ardhme të pashpresë për veten dhe vajzat e saj, ashtu siç u shpreh para hetuesve pak orë pas krimit.

Megjithëse çifti ishte ndarë, asgjë nuk të lë të dyshosh në profilin në Facebook të Edlirës se ajo po kalonte një periudhë depresioni. Publikonte shpesh fotot e vajzave për të cilat thoshte se ishin forca e saj. Madje nuk mungon edhe një foto e bashkëshortit të saj, Bashkimit me njërën nga vajzat, e publikuar në datë 25 shkurt, kur çifti ishte ndarë. Në Facebook prezantohej me emrin me të cilin e thërrisnin familjarët dhe miqtë, Eda, kurse si mbiemër kishte zgjedhur të përdorte atë të vajzërisë, Copa.

 “Një familje normale”,- i quajnë fqinjët e çiftit që i njihnin të dy bashkëshortët prej të paktën 4-5 vitesh, që ata ishin vendosur në këtë zonë. Bashkimi, babai i vajzave, punonte si mekanik, ndërsa Edlira ishte shtëpiake. Ndarja e prindërve dukej se rëndonte mjaft në gjendjen psikologjike të vajzës së madhe, Simonës, për të cilën shoqet e shkollës rrëfejnë se ishte mjaft e shoqërueshme. “Ishte mirë me mësime, por kohët e fundit mbyllej shpesh në banjë duke qarë’,- rrëfejnë ata. Miqve të saj u kishte treguar se prindërit po ndaheshin dhe ky ishte shkaku i dëshpërimit të saj. Lidhja e re e ish burrit të saj duket se e kishte tronditur edhe më shumë Edlirën. Miqtë e Simonës rrëfejnë se vajza 14 vjeçare ishte kundër transferimit së bashku me mamanë dhe 2 motrat në Torino, ku e ëma shpresonte të gjente punë. Një tjetër episod që duket se e kishte dëshpëruar vajzën 14 vjeçare ishte përgjigja e të atit, kur i kishte kërkuar para për një udhëtim në Romë, së bashku me shokët e shkollë. I ati fitonte rreth 2200 euro në muaj, 1100 prej të cilave ia kalonte familjes. Pasi ia kishte dhënë paratë, Bashkimi i kishte thënë se nuk do të mundte të paguante faturat.

Fill pas momenteve të para kur u mësua për vrasjen e vajzave, por nuk dihej ende autori, ministri i brendshëm italian Angelino Alfano u shpreh për Sky TG24 se do ta ndiqnin autorin derisa ta kapnin e pastaj do ta linin të kalbej në burg deri ditën e fundit të jetës. Pasi u zbulua autorja e krimit, Alfano shkroi në Twitter: “Shumë trishtim. Një gjest marrëzie, i shkaktuar nga ndarja nga bashkëshorti”.

Në fund të kësaj dite të ngarkuar me lajme mbi fatin tragjik të kësaj familjeje dhe gjestin dëshpërues të ndërmarrë nga 38 vjeçarja Edlira Dobrushi, shumë pyetje mbi shkaqet që mund të çojnë në një akt kaq ekstrem mund të mbeten pa përgjigje. Edhe shpjegimet e psikologëve mund të jenë të pamjaftueshme për të shpjeguar këtë tragjedi të konsumuar dhe ekzekutuar nga një nënë shumë e dhënë pas të bijave.

Fakt është që tre engjëj u ngjitën në qiell, jeta e të cilave u shkëput pikërisht nga ajo që i solli me shumë dashuri në jetë…

/m.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/