Itali, 10 mars 2014 – Një ditë pas tragjedisë që tronditi Italinë dhe Shqipërinë, për qytezën e Lecco-s është një ditë dhimbjeje. Mëngjesin e së dielës, qyteza u trondit nga krimi i Edlira Dobrushit, që vrau me thikë 3 vajzat e saj të mitura e më pas tentoi të vriste veten. Qyteti ende është i mbërthyer nga tmerri që përcolli masakra e 3 vajzave të vogla.
Drejtori i shkollës Chiuso e Maggianico, Giampiero Grasso, institucion ky ku ndiqnin mësimet tre vajzat e çiftit Dobrushi, nuk ka fjalë për të përshkruar atë që ka ndodhur. “Kjo është një tragjedi që i lë të gjithë pa fjalë. Detyra e shkollës tani është të mbrojë kujtimin e viktimave të mitura”,- shprehet ai. Për të dhe për shumë mësues të tjerë, kjo e hënë është një ditë dhimbjeje dhe dialogu, që po përpiqen t’u shpjegojnë nxënësve të shkollës atë se çfarë ka ndodhur. Sipas Grasso-s kjo është edhe detyra më e vështirë pasi u duhet të përballen me këtë argument, por në mënyrë shumë të kujdesshme, sepse mund të prekin sensibilitetin e fëmijëve.
Vazja e madhe, Simona frekuentonte shkollën e mesme dhe po përgatitej për provimet. Të gjithë e kujtojnë si një vajzë mjaft të motivuar, me vullnet dhe të lidhur mjaft me dy motrat e tjera. Kejsi frekuentonte klasën e pestë, ndërsa Sidni këtë vit frekuentonte për herë të parë kopshtin.
“E njoh mirë nënën e vajzave,- thotë drejtori i shkollës. Ishte një grua që interesohej shumë për edukimin e bijave të saj. Ishte gjithnjë e pranishme dhe më shumë kujdesej për të madhen, meqë ishte adoleshente. Kam folur me të pak ditë më parë. Asnjëherë nuk e kisha menduar një tragjedi të tillë”.
Mëngjesin e sotëm, një trëndafil i verdhë ishte vendosur në rrethimin e pallatit ku jetonte familja Dobrushi, në jug të qytetit të Lecco-s.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





