Durrës, 10 mars 2014 – Në mjediset e FSHF-së, në prani të përfaqësuesve të klubeve, u hodh shorti i gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Verdikti i goglave ka qenë i tillë: Skënderbeu do të përplaset me Flamurtarin, rivalin e vet më të ashpër në vitet e fundit, ndërsa Kukësi do të ketë punë me Teutën. Si edhe raundet pararendëse, edhe gjysmëfinalet do të zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje, përkatësisht në datat 26 mars dhe 9 prill. Ndeshjet e para luhen në Kukës dhe Vlorë, ndërsa ato të kthimit në Durrës dhe Korçë.
Teuta: Në turin e parë u ndesh dy herë, me sistemin vajtje-ardhje, me Besëlidhjen në turin e parë, ku fitoi me rezultatin e përgjithshëm 4-1. Në turin e dytë, durrsakët superuan Shkumbinin me rezultatin total 2-0, ndërsa në çerekfinale “djemtë e detit” shkatërruan Lushnjën, me rezultatin total 7-4.
Kukësi: Skuadra e drejtuar nga Starova ka pasur këtë ecuri deri më tani në Kupën e Shqipërisë: Filimisht hoqi qafe Naftëtarin e Kategorisë së Parë, me rezultatin total 6-0. Në turin e dytë mposhti Apoloninë me rezultatin e përgjithshëm 4-1, ndërsa në çerekfinale superoi Bylisin me rezultatin total 4-1. Pra, dy ndeshje të raundeve të kaluara skuadra kuksiane i ka zhvilluar me dy kundërshtarë të kategorive inferiore.
Skënderbeu: në turin e parë kualifikues ka mundur me rezultat të përgjithshëm 11-1 Ilirinë e Fushë-Krujës. Në turin e dytë korçarët kanë mposhtur Mamurrasin, me rezultatin total 6-1, ndërsa në çerekfinale eliminoi fituesin e Kupës së Shqipërisë në fuqi, Laçin, me rezultatin total 3-0.
Flamurtari: Në turin e parë eliminoi Gramshin e kategorisë së dytë, me rezultatin 5-0, ndërsa në turin e dytë kaloi pa problem Tomorin e Beratit (6-2). Në çerekfinale pati shumë vështirësi për ta “kaluar lumin”, sepse përballë pati Vllazninë. Në Shkodër barazoi 0-0, ndërsa në kthim fitoi minimalisht, 1-0, duke kaluar në gjysmëfinale, ku ka “peshkuar” Skënderbeun.
Teuta ka në palmaresin e vet një titull kampioni dhe tri Kupa të Shqipërisë. Kupat i ka fituar në edicionet 1994–1995, 1999-2000 dhe 2004-2005. Finaliste e Kupës, por si humbëse ka qenë në: vitin 1957 ndaj Partizanit, në edicionet 1974-1975 ndaj Elbasanit, 1993-1994 ndaj Tiranës, ashtu si edhe në edicionin 2000-2001. Hera e fundit si finaliste e skuadrës durrsake daton në edicionin 2000-2001, ndaj Besës.
Kukësi nuk ka asnjë trofe të fituar, ndërsa arritja më e madhe në Kupën e Shqipërisë është arritja në gjysmëfinale të edicionit të shkuar, kur u shpall edhe nënkampion i vendit.
Trofeun e Kupës së Shqipërisë e kanë fituar më shumë se askush tjetër Tirana dhe Partizani, me nga plot 15 herë secili, pastaj vjen Dinamo me 13 herë, Vllaznia 6 herë, Flamurtari dhe Teuta nga 3 herë, Besa dhe Elbasani nga 2 herë, ndërsa Apolonia me Laçin nga një herë. Trofeu i Kupës së Shqipërisë është i dyti për nga rëndësia në kampionatin shqiptar. Kjo për dy arsye: së pari për financat që të sjell (FSHF-ja jep 50 milionë lekë) dhe, së dyti, për faktin se fituesi merr pjesë në turin e parë të Ligës së Europës (pra merr minimalisht 120 mijë euro, gjithnjë nëse nuk arrin të kualifikohet në turin e dytë, ku shifrat rriten në proporcion). Sakaq, neni 49 i rregullores së FSHF-së rregullon edhe ndarjen e përfitimeve si në vlerë monetare, por edhe morale e materiale. Trofeu ndahet në Kupë, tridhjetë medalje të arta dhe të argjendta për ekipin fitues, tridhjetë medalje të argjendta për ekipin finalist (jo fitues) dhe një shumë prej pesë milionë lekësh (të rinj), të cilat i shkojnë klubit fitues. Kupa e fituesit modelohet dhe prodhohet në metal të çmuar, në ar dhe argjend, në edicione dhjetëvjeçare, duke filluar me edicionin e parë të prodhimit për sezonin futbollistik 2013- 2014. Versioni origjinal i kupës është pronë e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila pas shpalljes së ekipit fitues ia dorëzon këtij të fundit. Fituesi, në përfundim të ceremonisë, ka të drejtë të marrë dhe të mbajë në ambientet e veta kupën origjinale, për një periudhë jo më shumë se tridhjetë ditë nga dita e zhvillimit të ceremonisë. Para përfundimit të këtij afati, klubi duhet ta kthejë këtë kupë origjinale në zyrën e sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





