10 mars 2014 – Festa e 8 Marsit, dita ndërkombëtare e grave, duket se nuk i ka ndaluar meshkujt për të ushtruar dhunë ndaj seksit të dobët. Për më tepër, rastet e dhunës në familje nuk janë përqendruar këtë herë vetëm në raportet burrë-grua, që janë më të zakonshmet, por kanë përfshirë të gjitha lidhjet familjare. Gjatë fundjavës që lamë pas, policia e Durrësit ka plotësuar 5Kërkesë-Padi për Lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes së Menjëhershme për 5 shtetase që kanë denoncuar në komisariat dhunën e ushtruar nga njerëzit e tyre të afërt.

Policia e Durrësit njofton se dy gra të moshës 34 dhe 47 vjeç janë dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga vëllezërit e tyre, përkatësisht shtetasit M.Ç., 37 vjeç dhe A.Y., 45 vjeç. Por rastet e dhunës në familje nuk ndalen këtu.

Një 20 vjeçare nga Durrësi ka denoncuar babain e saj, 46 vjeçarin B.M. për dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Të njëjtin veprim ka kryer edhe një e moshuar 78 vjeçare nga Rrashbulli, që ka pohuar para efektivëve të rendit se dhunohej nga djali i saj 38 vjeçar R.H. Duket se pavarësisht moshës së thyer të nënës së tij, 38 vjeçari nuk ka nguruar të ngrejë dorë kundër saj.

Pranë komisiariatit të Durrësit është paraqitur edhe një 38 vjeçare nga Durrësi që ka bërë denoncim ndaj ish bashkëshortit të saj, shtetasit A.M. 44 vjeç, për ushtrim dhune në familje.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/