Tiranë, 8 mars 2014– Ish-sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Integrimit, Elda Kalaja, e shkarkuar nga detyra në shtator nga ministrja e re Klajda Gjosha, është punësuar së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë, nga kryetari i LSI-së Ilir Meta. Shkarkimi i Elda Kalasë u shndërrua në kauzën e opozitës gjatë muajit shtator, pasi u konsiderua si shkarkim politik, ndërkohë që vetëm dje ajo ka fituar një post si këshilltare në Drejtorinë e Shërbimit të Përafrimit të Legjislacionit në Parlament. Dje Kalaja është parë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, teksa ka zhvilluar dhe intervistën me eprorin direkt. Në njoftimin e Kuvendit thuhet se: “Për 3 (tri) vendet e lira të punës “këshilltar”, në Shërbimin e Përafrimit të Legjislacionit, nga pesëshja fituese e fazës së dytë, e përzgjedhur nga komiteti ad-hoc, Alma Vokopola, Entela Nikaj, Elda Kalaja, Zyhrada Kongoli, Erida Skëndaj, eprori direkt pas një bisedimi me kandidatët, zgjodhi zonjat: Alma Vokopola, Entela Nikaj, Elda Kalaja. Rekrutim në shërbimin civil të Kuvendit do të bëhet pas përfundimit të periudhës ankimore, pranë Komisionit të Shërbimit Civil, që është 30 ditë pune nga data e botimit në gazetë”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





