Durrës, 7 mars 2014– Skuadra e Teutës do të presë Partizanin në shtëpi, në një ndeshje ku dy ekipet kanë shumë për të dhënë, por në të njëjtën kohë edhe shumë për të humbur. Do të jetë si një finale dhe këtë e konfirmon edhe vetë trajneri Ilir Biturku. Për teknikun kavajas kjo do të jetë ndeshja e dytë nën drejtimin e durrsakëve si trajner i parë, pas barazimit 0-0 në Krujë përballë Kastriotit.

“Pika e marrë në Krujë ishte e rëndësishme për ne, por më e rëndësishme do të jetë nëse vazhdojmë të përmirësohemi në lojën tonë. Deri më tani e kemi bërë një gjë të tillë. Skuadra po stabilizohet dhe unë jam optimist. Na pret një ndeshje e vështirë përballë Partizanit, por unë kam besim se do të marrim tri pikët”, tha Biturku.

Teuta ndodhet për momentin në vendin e pestë, me 30 pikë, dy më pak se Partizani. Trajneri Biturku foli për repartin ofensiv, aty ku ka shumë alternativa. Duke mos konfirmuar ende formacionin titullar që do të luajë ndaj Partizanit, tekniku i durrsakëve tha: “Kam alternativa në sulm dhe kjo është diçka e mirë. Eshtë e vërtetë që nuk kemi shënuar shumë gola, përveç asaj ndeshjeje me Lushnjen, por skuadra po përmirësohet. Samb dhe Kalu janë dy futbollistë shumë të mirë dhe cilësorë, por janë ende larg formës së tyre më të mirë. Nuk kanë luajtur shumë përpara se të vinin këtu, duke mos pasur shumë minuta në këmbët e tyre. Për Xhafajn mund të them se është sulmuesi më i mirë i kampionatit shqiptar dhe jemi me fat që e kemi në skuadër. Ai është shumë i rëndësishëm për ne dhe së bashku me Samb mund të luajnë mjaft mirë në sulm. Joel? Eshtë një alternativë më shumë për ne dhe që mund t’i japë shumë skuadrës”, tha Biturku.

I pyetur në lidhje me lënien në stol të mesfushorit Dosti, trajneri i Teutës sqaroi: “Dosti është një lojtar me shumë vlera, një fantazist, por ndaj Kastriotit doja që të luaja me një mesfushor më shumë me tipare shkatërruese, në mënyrë që të markonim më mirë. Padyshim që ai dhe Nika janë të vlefshëm për skuadrën tonë”. Ndaj Partizanit, Biturku nuk do të ketë në dispozicion dyshen e mesfushës, Batha-Shala, të cilët kanë plotësuar numrin e kartonave. Dy mesfushorët me tipare shkatërruese duket se i kanë hapur shumë punë trajnerit në prag të sfidës së fundit të fazës së dytë: “Janë dy mungesa shumë të rëndësishme për ne, edhe pse kemi futbollistë të tjerë që mund të bëjnë maksimumin në këtë ndeshje. Më duhet të analizoj gjithçka, sepse nuk e kam vendosur akoma formacionin”.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/