Angli, 7 mars 2014 – Kur një vajzë britanike kuptoi se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Ukrainës ishin në krizë, ajo vendosi që të shprehte ndjenjat e saj në Tuitter. Pa kontrolluar më parë faktet apo drejtshkrimin, 20 vjecarja Xhema Uorall shkroi: Nëse Barrako Barner është presidenti ynë, pse ai po merret me Rusinë, është e frikshme. Brenda pak orëve Uorall nga Blekpull u bë e famshme në të gjithë botën, pasi mesazhi i saj u ripublikua me mijëra herë nga ndjekësit në Tuitter. Kur e kuptoi gabimin dhe fshiu mesazhin e saj, ishte shumë vonë pasi ishte kthyer në një lajm për televizionet belge dhe australiane.
Ndërkohë, 20 vjeçarja e cila punon në një sallon bukurie u ftua në radio dhe televizione, për të folur për ngjarjen ku ajo përfitoi të ankohej për të gjithë ata që e kishin ofenduar. Në përpjekje për të qetësuar situatën ajo shkroi sërish në Tuitter: E saktë, kuptova, nuk jam e mirë në politikë, do e mbyll tani, nuk mund të marr frymë, nga gjithë këto ofendime. Uorall u shpreh e habitur nga reagimet dhe madje e frikësuar nga ata që e kanë cilësuar si një lopë budallaqe, dhe hajdute oksigjeni. 20 vjecarja këmbënguli se nuk është e rrezikshme dhe nuk kishte ndërmend të ofendonte asnjë me mesazhin e saj. Duke shtuar se prindërit e saj ndiheshin të ofenduar ajo tha se kishte bërë vetëm një gabim drejtshkrimi, po shihte lajmet dhe mendoi të shkruante diçka të zgjuar. E ndërsa këmbëngul se tashmë do të qëndrojë larg politikës, janë të shumtë ata që nuk dinë të thonë se çfarë është më e rëndë në këtë rast, që ajo kujton se Obama është dhe president i Britanisë së Madhe, apo se emri i vërtetë i presidentit amerikan sipas saj është Barrako Barner.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





