Tiranë, 7 mars 2014 – Një ditë pas tryezës së dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE, Kryeministria ka zbardhur edhe përfundimet e përbashkëta të takimit. Theksi bie mbi vazhdimin e reformave përmes gjithëpërfshirjes, dialogut politik me opozitën dhe nevojën për rezultate konkrete.
Komisioneri Fyle ka theksuar rëndësinë e sigurimit të koherencës dhe një përqasje përfshirëse ndaj gjithë reformave. Në takim është rënë dakord që Shqipëria duhet të vazhdojë të paraqesë prova të rezultateve të arritura, duke u fokusuar te shteti i së drejtës, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në përfundimet e përbashkëta të pjesëmarrësve në tryezë nënvizohet gjithashtu se opozita dhe Qeveria duhet të tregojnë tani përmbajtje dhe të garantojnë respektimin e plotë të legjislacionit të zbatueshëm dhe parimeve të tij.
Kryeministri Rama ka konfirmuar angazhimin për forcimin e mëtejshëm të progresit të reformave që lidhen me BE-në. Qeveria shqiptare konfirmoi angazhimin e saj për dialog politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm me opozitën, gjë që në tekst cilësohet si jetike për qëndrueshmërinë e procesit të reformave.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Komisioneri Fyle përshëndeti angazhimet e qeverisë shqiptare për të garantuar zbatimin e qetë të Ligjit për Shërbimin Civil me po atë frymë dialogu dhe bashkëpunimi që çoi në miratimin e tij në maj 2013; për finalizimin e strategjisë kundër korrupsionit dhe hedhjen e hapave për zbatimin e saj lidhur me përmirësimin e efikasitetit të veprimit në këtë fushë.
Tryeza e dialogut të nivelit të lartë ra dakord se duhet ngritur mekanizmi i konsultimeve me palët e interesuara, siç u vendos në takimin e parë të zhvilluar në nëntor.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





