Itali, 7 mars 2014– Ish Kryeministri Berlusconi rikthehet në Senatin Italian. Tashmë ai nuk rikthehet dot si senator, sepse nuk e lejon dënimi i dhënë nga gjyqësori italian, por ai rikthehet si botues i një libri mbi tmerret e komunizmit në Shqipëri.
Shtëpia botuese “Edizione Diana” botoi italisht librin e At Zef Pëllumit “Rrno për me tregue”. Libri mjaft i suksesshëm në Shqipëri tashmë do të jetë edhe në duart e lexuesve italianë. Botimi i librit u mundësua edhe në sajë të kontributit të veçantë të Keda Kacelit. Në italisht titulli i librit është: “ Il sangue di Abele, Vivi per testimoniare”.
Berlusconi u emocionua shumë gjatë ceremonisë së promovimit të librit, sepse një kryebashkiak shqiptar me fashën kuq e zi të flamurit kombëtar shqiptar i dorëzoi çmimin At Zef Pllumi. Kalorësi Berlusconi mjaft i prekur u shpreh: Deri tani jam mësuar të marr dënime nga gjykatat dhe gjykatësit komunistë italianë,ndërsa tani marr shpërblim, marr një çmim, që mban emrin e një kleriku martir shqiptar. Ndërsa kam luftuar njëzet vjet për lirinë jam i varur nga një bandë gjykatësish mafiozë dhe komunistë, që më 20 prill do vendosin, nëse duhet të shkoj në burg apo të përfundoj në arrest shtëpie. Komunizmi nuk është thjesht një ideologji, por një masakër, një çmenduri. Masakrat dhe torturat, që përshkruhen në këtë libër, nuk mund t’i kenë prodhuar veçse mendje të sëmura.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





