SHBA, 6 mars 2014 – E ndërsa kriza mes Ukrainës dhe Rusisë për rajonin e Krimeas vazhdon të jetë prezent, Shtetet e Bashkuara vendosin të dërgojnë në Poloni 12 avionë luftarakë “F16”, të cilët do të angazhohen në stërvitje ushtarake. Avionët amerikanë dhe një personel prej 300 personash do të mbërrije javën tjetër në Poloni, bëri të ditur ministria e mbrojtjes në Varshavë. 

Ndërkohë edhe Destrojeri amerikan “USS Truxtun”, është drejtuar për në Detin e Zi, njoftoi sot marina amerikane duke theksuar se kjo lëvizje ishte parashikuar para fillimit të krizës në Ukrainë. 

Shtetet e Bashkuara vendosën sot kufizime vizash për rusët dhe banorët e Krimesë, që siç thuhet në vendim, përbëjnë kërcënim për Ukrainën. Po ashtu Shtëpia e Bardhë njoftoi sot se Presidenti Obama lëshoi një vendim ekzekutiv që autorizon sanksione ndaj grupeve dhe individëve “përgjegjës për aktivitetet që minojnë proceset demokratike ose institucionet e Ukrainës”. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/