Tiranë, 6 mars 2014 – Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë kë bërë me dije se kanë ndryshuar procedurat e aplikimit për vizë.
Mësohet se duke filluar nga 19 Marsi 2014, ambasada Britanike do të ndryshojë procedurat e aplikimit për viza për në Mbretërinë e Bashkuar, ku thuhet se në të ardhmen, aplikimet për vizë nuk do të pranohen më nga ambasada.
Për rrjedhojë, sqarohet se aplikimet për vizë do të pranohen tek Qendra e Aplikimit për Vizë nga Teleperformance Ltd, një partner tregtar i Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, pranë një zyre të caktuar në Tiranë.
Në këtë linjë sqarohet se aplikimet dhe dokumentacioni i nevojshëm do të dërgohen më pas pranë një qendre rajonale në ambasadën britanike në Varshavë për procedim të mëtejshëm, ndërsa kriteret në dhënien e vizave do të mbeten të njëjta.
Theksohet se personeli i qendrës së aplikimit për Vizë nuk ka asnjë rol në vendimmarrjen që lidhet me aplikimet për vizë, ndërsa shtohet se procedura të ngjashme po hyjnë në fuqi dhe në Ambasadat Britanike në Europën Qendrore dhe Lindore si edhe më gjerë.
Duke u detajuar në të dhëna thuhet se qendra e aplikimit për Vizë e Mbretërisë së Bashkuar do të jetë në adresën e mëposhtme: Qendra Tregtare Europiane (ETC), kati i 12, Bulevardi Bajram Curri, Tiranë.
Qendra e Aplikimit për Vizë do të jetë e hapur nga ora 08:30 në orën 15:30, nga e Hëna në të Premte, me përjashtim të festave zyrtare.
Për përdorimin e Qendrës së Aplikimit për Vizë në Tiranë do të ketë një pagesë prej 59.00 GBP. Kjo është një pagesë shtesë përveç tarifës së Vizës dhe do të jetë e pagueshme në Euro sipas kursit të këmbimit valutor konsullor.
Në këtë linjë ambasada britanike bënë me dije se kjo pagesë mbulon shpenzimet e ofruara nga shërbimi i ri i aplikimit.
Gjithashtu thuhet se aplikantët duhet të regjistrohen në faqen e internetit të Teleperformancës pasi të kenë prenotuar një takim, dhe të paguajnë tarifën e caktuar që lidhet me takimin, si edhe çdo shërbim tjetër shtesë që kërkohet.
Theksohet se një regjistrim paraprak me Teleperformancën do të mundësojë gjithashtu një procedim të shpejtë të aplikimit. Aplikimet e përfunduara do të dërgohen pranë Qendrës së Vendimmarrjes në Varshavë për procedim, ku thuhet se koha e nevojshme për provedim do të mbetet e pandryshuar.
Sqarohet se për informacione të mëtejshme mbi procesin e aplikimit dhe kohën e procedimit duhet vizituar faqja e internetit Vizat & Emigracioni në Ministrinë e Brendshme.
Ambasada e Britanisë së Madhe thekson se do të ofrohen një gamë shërbimesh të tjera si më poshtë:
– Shërbimi Premium Lounge do të mundësohet përkundrejt një pagese prej 89.00 GBP, e pagueshmë në Euro. Ju duhet të paguani on-line me një kartë krediti/debiti. Për më shumë informacion vizitoni faqen e internetit të Teleperformancës.
-Shërbimi prioritar do të mundësohet përkundrejt një pagese prej 100.00 GBP, të pagueshme në Euro. Ju duhet të paguani on-line me një kartë krediti/debiti. Ky shërbim mundëson që aplikimi juaj të shqyrtohet në mënyrë të përshpejtuar nga Qendra e Vendimarrjes në Varshavë, dhe marrjen e një vendimi nga 3 deri në 5 ditë pune. Kjo pagesë është një shtesë përkundrejt pagesës tuaj për vizë dhe nuk është e rimbursueshme.
-Shërbimi i kthimit me postë – mundëson dërgimin e vendimit me postë në adresën e përzgjedhur prej jush në vend të paraqitjes tuaj në Qendrën e Aplikimit për Vizë për ta tërhequr atë. Shërbimi i kthimit me Postë mundësohet përkundrejt një pagese prej 7.95 GBP, të pagueshme në Euro, on-line me një karte krediti ose me anë të një karte debiti pranë Qendrës së Aplikimit për Vizë. Teleperformanca do të procedojë për kthimin e pasaportës në ditën e marrjes së vendimit nga Qendra e Vendimmarrjes në Varshavë. Koha e nevojshme, për dorëzimin e pasaportës aplikantëve, do të jetë nga 1 deri në 3 ditë pune në varësi të zonës së banimit. Kjo është një pagesë shtesë përkundrejt tarifës së aplikimit për vizë dhe nuk është e rimbursueshme.
Informacione të mëtejshme mbi të gjitha shërbimet, duke përfshirë edhe kriteret e duhura për vizë, mund të gjenden në faqen e internetit të Teleperformancës pasi të jeni regjistruar. Gjithashtu thuhet se faqja e internetit të Teleperformancës për Shqipërinë është në përditësim dhe do të mundësohet së shpejti.





