Tiranë, 6 mars 2014 – Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë sot detaje në lidhje me shpërthimin në oborrin e komisariatit të Fushë-Krujës. Sipas kësaj prokurorie, dy kamera sigurie kanë filmuar një makinë tip “Benz 190” para shpërthimit, i cili është larguar nga vendngjarja me shpejtësi. Po sipas të njëjtave burime, dyshohet se prej kësaj makine mund të jetë hedhur eksplozivi në oborrin e komisariatit të policisë së Fushë-Krujës. 

Mësohet gjithashtu se mjetit në fjalë nuk i dallohen mirë targat. Megjithatë prokuroria bën me dije se janë identifikuar 3 persona si të dyshuar për ngjarjen. Sasia e tritolit është hedhur mbrëmjen e 3 marsit në oborrin e komisariatit të Fushë-Krujës, duke dëmtuar dy mjete të policisë. Nga shpërthimi janë dëmtuar edhe xhamat e disa banesave aty pranë 

Ky është rasti i dytë që një sasi tritoli hidhet në oborrin e komisariatit të Fushë-Krujës. Në 20 janar rreth orës 19:00 një sasi e vogël eksplozivi u hodh në oborrin e komisariatit. Shpërthimi shkaktoi vetëm dëme materiale.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/