- Në ndërmarrjen e infrastrukturës planifikohen e konsumohen çdo muaj rreth 4 000 litra naftë në mënyrë standarde e pa asnjë preventiv apo kosto punimesh
- Ndonëse sistemi i ndërlidhjes me radio është jashtë funksionit, hekurudha vazhdon të paguajë miliona leke në vit për antenat e instaluara të këtij sistemi. Vetëm kjo shumë parash do të mjaftonte për të siguruar pagën e rreth 200 punonjësve që mund të shfrytëzohen me efektivitet në sektorë të tjerë
Nga Kristaq Prifti*
Elementi bazë i mirëzhvillimit të transportit hekurudhor është infrastruktura hekurudhore. Shpesh herë me këtë term kuptohet vetëm linja hekurudhore. Fatkeqësisht, këtë term e
përdorin me një nocion të kufizuar edhe shumë specialistë e drejtues të Hekurudhave Shqiptare. Në fakt, në infrastrukturën hekurudhore përfshihen linjat hekurudhore së bashku me veprat e artit dhe bazat e riparimit të saj; stacionet hekurudhore me linjat dhe mjediset e tyre; ndërlidhja dhe sistemi i sinjalizimeve e bllokimit; sistemet e furnizimit dhe pikat e veçanta të ndërprerjes e kryqëzimit të linjave. Por pavarësisht këtyre kuptimeve, çështja më e rëndësishme është gjendja, organizimi e funksionimi i këtyre elementeve. Nuk mund të ekzistojë asnjë lloj transporti në qoftë se nuk ka bazën e lëvizjes që është linja përkatëse, rruga përkatëse apo korridori përkatës. Është e njohur dhe pranuar se linjat hekurudhore në Shqipëri janë në gjendje të mjeruar. Tashmë traversat dhe shinat e saj janë tejet të vjetruara dhe të konsumuara. Kjo gjendje dhe mungesa e elementëve të tjerë të infrastrukturës hekurudhore cenojnë parimin bazë të transportit që është siguria e lëvizjes. Pasojat e kësaj situate kanë konsoliduar mendimin që në transportin hekurudhor në Shqipëri të operohet me shpejtësitë më minimale që mund të ekzistojnë. A është kjo një zgjidhje për të konkurruar llojet e tjera të transportit? Kjo gjendje është pasojë e mungesës së investimeve në këtë sektor.
MBISHTRESA E TRASESË
Nevoja për investime është një çështje e padiskutueshme dhe është kthyer në një domosdoshmëri. Por, përpos kësaj, edhe investimet duhet te miradministrohen. Ato duhet ditur të përdoren atje ku japin efektivitetin më të madh. Hekurudhat Shqiptare kanë lehtësinë se ato operojnë mbi një trase të projektuar e ndërtuar sipas gjithë parametrave teknikë e tashmë të konsoliduar, por elementët e mbishtresës së saj janë amortizuar. Shembulli i qartë është rilidhja e Hekurudhave Shqiptare në vitin 2003 me hekurudhën e Malit të Zi. Kjo rilidhje u realizua me shpenzime shumë minimale e në një kohë shumë të shkurtër. Gjithashtu kjo rilidhje dhe vënia në eficencë të saj shërbyen që Hekurudhat Shqiptare për shumë kohë të rrisnin aktivitetin e transportit dhe të përmirësojnë gjendjen financiare.
SPEKULIMET
Duke pranuar mungesën e investimeve nuk duhet të spekulojmë me mangësi të tjera që lidhen me linjën hekurudhore. Në radhë të pare, ka munguar hartimi i një metodologjie në kushtet reale të linjës. Mbi të gjitha, shumë nga këto detyra janë përcaktuar edhe në Kodin Hekurudhor. Por mungesa e drejtimit eficent, vlerësimit periodik e profesional, kanë sjellë degradimin e linjës hekurudhore. Vlerësimi periodik i gjendjes së linjës, jo vetëm paraqet gjendjen dhe cilësinë e linjës, por të lejon të gjykosh edhe për përmirësimet e keqësimet, efektivitetin e mirëmbajtjes dhe nevojat e tjera.
MUNGESA E KONTROLLIT DHE DISIPLINËS
Ka një numër të caktuar të punonjësve të funksionit të mirëmbajtjes së linjës, por ato më shumë janë përdorur vetëm në rastet e avarive në linjë. Nuk ka bilanc të punimeve të përditshme mujore, tremujore e vjetore, në vëllim e vlerë të kryera nga këto brigada mirëmbajtjeje. Mungesa e metodologjisë në kushtet reale, mungesa e kontrollit dhe disiplinës për punimet mbi linjë por edhe informaliteti në këtë sektor, kanë sjellë përkeqësimin e linjës hekurudhore, përveç mungesës së investimeve Mungesa e punimeve dhe e kontrollit në linjë, lënia e tyre në mëshirë të fatit, ka bërë që në to të vidhen shumë elementë metalikë të linjës për t’u shitur për skrap. Pasojat e avarive apo aksidenteve për shkak të linjës hekurudhore, janë me përmasa e pasoja katastrofike. Ky gjykim duhet të rrisë në maksimum shkallën e drejtimit tekniko-profesional dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë morale e profesionale, por edhe ligjore të punonjësve e drejtuesve.
STREHË PËR MILITANTËT PARTIAKË
Është e pafalshme që disa linja hekurudhore janë kthyer si kullota për bagëtitë, sepse janë mbuluar nga bari. Kjo situatë nuk vjen si pasojë e mungesës së investimeve, por e mungesës së punimeve të përditshme dhe i bilanceve informale që hartohen në këtë sektor, i cili shpesh bëhet strehë për militantët partiakë. Në rrjetet hekurudhore evropiane janë arritur përmirësime të mëdha të infrastrukturës hekurudhore. Sot pothuajse tërësisht proceset e kontrollit dhe të mirëmbajtjes së linjave janë mekanizuar, duke ulur në maksimum punën e krahut. Atje kontrolli i parametrave teknikë e standard i linjave bëhet me vagonët e kontrollit që përcaktojnë të gjitha shmangiet e linjës nga standardi i saj. Tani vazhdohet në modernizimin e tyre, gjë që ka sjellë rritjen e shpejtësisë konkurruese krahasuar me transportin auto.
STACIONET SI PIKA TRANSITI
Siç theksuam në fillim të këtij shkrimi, infrastruktura ka edhe elementët e tjerë të saj përveç linjës hekurudhore. Harmonizimi i këtyre elementëve është domosdoshmëri për një funksionim normal e cilësor. Rinovimi i stacioneve hekurudhore me linjat dhe mjediset përkatëse si sallat, biletaritë, peronet nuk do të kërkonin investime të mëdha. Me një administrim të mirë sheshet e magazinat do të ishin një burim i ndjeshëm të ardhurash, në kundërshtim me atë që ka ndodhur duke i braktisur ato. Krijimi e përdorimi i këtyre stacioneve si pika transiti edhe për aktivitete private do të ishte më se i leverdishëm.
SI HUMBASIN PARATË QË MUND TË PAGUAIN 200 PUNONJËS
Sektori i ndërlidhjes dhe sistemi i sinjalizimit, centralizimit e të bllokimit janë ndër më të mjeruarit. Sistemi i ndërlidhjes me radio, i ashtuquajturi “sistemi tranking”, i cili u ndërtua me ndihmën e qeverisë së SHBA-së, tashmë është pothuajse jashtë funksionit. Ndonëse ai përfundoi në vitin 2003, për shkak të mosmirëmbajtjes e ndoshta edhe të paaftësisë së personelit për eliminimin e defekteve, sot në hekurudhat shqiptare operohet me celularë. Ndonëse sistemi i ndërlidhjes me radio është jashtë funksionit, hekurudha shqiptare vazhdon të paguajë miliona leke në vit për antenat e instaluara të këtij sistemi. Vetëm kjo shumë parash do të mjaftonte për të siguruar pagën e rreth 200 punonjësve që mund të shfrytëzohen me efektivitet në sektorë të tjerë. Në kushtet e sotme do të ishte më racionale lidhja me kompani serioze të shërbimit telefonik celular që do të garantojnë sigurinë e ndërlidhjes në këto linja.
MBIKALIMET
Për sa i përket sistemit të sinjalizimit ai është pothuajse inekzistent. Në hekurudhat e përparuara këto probleme janë zgjidhur me vendosjen e kabllove optike dhe sistemeve automatike të bllokimit. Kalimet e paligjshme, të ashtuquajturat kalim në nivel, janë shtuar së tepërmi e vazhdojnë të krijohen të reja, pa asnjë kriter urbanistik e në shkelje të plotë të Kodit Hekurudhor. Këto kalime janë burim i mirëfilltë aksidentesh dhe në përqindjen më të madhe aksidentet në hekurudhë kanë ndodhur në këto mbikalime. Rinovimi i hekurudhave shqiptare kërkon studim të plotë të mbikalimeve të linjës hekurudhore në Shqipëri dhe ndërhyrje emergjente të prishjes së tyre dhe të ndërtimit të mbikalimeve apo nënkalimeve aty ku është e nevojshme. Edhe në kalimet në nivel, të miratuara dhe të kontrolluara nga Hekurudha Shqiptare, operohet si para shumë vitesh, me roja e ulje-ngritje binarësh me dorë, ndërsa sot ato janë të modernizuara, të automatizuara e të siguruara me sisteme paralajmërimi, veprimi e bllokimi.
4 000 LITRA NAFTË PA PREVENTIV APO KOSTO PUNIMESH
Për nevojat e shërbimeve të mirëmbajtjes së linjave në hekurudhë, në bazë të një studimi analitik, u krijuan brigadat e motorizuara. Kjo kishte si qëllim ndërhyrje të shpejtë e të menjëhershme në linjë, shfrytëzimin e kohës së punës, rritjen e efektivitetit të shpenzimeve. Por, në të kundërt të këtij qëllimi, ato janë shndërruar në burime konsumi e spekulimi. Në ndërmarrjen e infrastrukturës së Hekurudhave Shqiptare planifikohen e konsumohen çdo muaj rreth 4 000 litra naftë në mënyrë standarde e pa asnjë preventiv apo kosto punimesh. Në qoftë se do të përdoreshin në linjë këto vlera, gjendja, të paktën, sektoriale, nuk do të ishte e tillë. Ku shkojnë e përdoren këto mijëra litra nafte? Ku dhe si përdoren këto mjete të mirëmbajtjes së linjave, të cilat, po të llogariten për një vit të tërë, përbëjnë një volum të madh. Po për disa vjet, a nuk do ta përmirësonin sadopak gjendjen ato? A mos ka edhe këtu qëndrime abuzimi e përvetësimi nga drejtues e punonjës përkatës?
POLICIA PRIVATE E HEKURUDHËS
Burimet nga të cilat Hekurudhat Shqiptare mund të bëjnë përmirësime, janë të shumta. Sot ato funksionojnë si shoqëri aksionare/anonime (sha). Ky ligj duhet shfrytëzuar për mirëpërdorimin e aseteve të saj, për të gjeneruar të ardhura apo për të ulur shpenzimet. Hekurudhat Shqiptare paguajnë sot miliona lekë për rojat private. Në këtë ndërmarrje kombëtare është një problem i madh social shkurtimi i punonjësve. Në zbatim të të gjitha kërkesave të ligjit, Hekurudha Shqiptare, si shoqëri aksionare/anonime (sha), ka të drejtë të krijojë policinë e vet private, siç e kanë shumë hekurudha në botë. Kjo do të miradministronte këto fonde dhe do të përdoreshin punonjësit e saj që plotësojnë kushtet në këtë funksion. Problemet janë të shumta, por po qëndrojmë këtu, duke shpresuar se do të tërhiqet sadopak vëmendja për të përmirësuar gjendjen.
* Ish-kryeinxhinier i drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të Hekurudhave Shqiptare sha Durrës





