DURRËS,  24 Janar 2104 –  Operatorët turistikë privatë dhe publikë, nga tre qarqet më të rëndësishëm të vendit, Durrësit, Vlorës dhe Fierit janë mbledhur në Durrës më 24 janar 2014 për të diskutuar ligjin aktual të turizmit dhe nevojat e tij për përmirësim në një tryezë të rrumbullakët me ministrinë e zhvillimit urban e turizmit. Shoqatat e turizmit dhe hotelierët kanë ngritur para ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni problematikat që shqetësojnë një prej industrive më të mëdha dhe fitimprurëse në vend.

HALLET

Operatorët folën për informalitetin në këtë fushë, mungesën e një zhvillimi të qëndrueshëm urban, mungesën e klasifikimit të njësive sipas cilësisë së shërbimit që ofrojnë, dobësitë në infrastrukturën rrugore (kryesisht ndriçimi), shërbimin shëndetësor. Sipas operatorëve turistikë, në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit, pas 23 vjetësh një pjesë e njësive hoteliere janë në prag falimentimi, kjo për shkak të investimeve shumë të mëdha të bëra prej tyre, dhe në krahun tjetër përballen me konkurrencë të pandershme, mungesë investimesh nga shteti dhe rënie drastike të numrit të pushuesve.

VEND UNIK NË OFERTËN TURISTIKE

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, u shpreh se “potencialet natyrore, trashëgimia kulturore dhe mikpritja, e bëjnë Shqipërinë një vend unik në ofertën turistike dhe sfidat me të cilat duhet të përballemi në këtë sektor janë disa”. Gjermeni tha se drafti, që po përgatitet, do të jetë pjesë e një diskutimi gjithëpërfshirës. “Potencialet natyrore, trashëgimia kulturore dhe mikpritja, e bëjnë Shqipërinë një vend unik në ofertën turistike dhe sfidat me të cilat duhet të përballemi në këtë sektor janë disa”, u shpreh ministrja Gjermeni. Ajo theksoi se nevoja e turizmit gjithëvjetor, në një vend të pastër, përbën një sfidë, të cilën duhet ta përballojmë të gjithë. Drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të biznesit turistik dhe universiteteve folën më pas mbi mangësitë e ligjit aktual dhe problematikat e turizmit në rajonet e tyre. Ndryshimet që do t’i bëhen ligjit për turizmin, do të jenë në qendër të diskutimeve të tjera. Ligji për turizmin është miratuar në vitin 2007 dhe ka pësuar disa herë ndryshime të pjesshme.

LLOGARI PËR KROÇERAT

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, zhvilloi edhe një takim në mjediset e portit të Durrësit me drejtorin e përgjithshëm ekzekutiv të kompanisë publike të Autoritetit Portual Durrës sha Selim Belortaja. Në fokus të takimit ishin standardet e shërbimit dhe të trajtimit të turistëve që vizitojnë portin e Durrësit me kroçera dhe marrja e masave për përmirësimi i këtij impakti, që kanë turistët në takimin e parë që kanë me Shqipërinë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/