24 janar 2014 – Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, thotë se do donte ta shikonte Sali Berishën duke punuar më shumë për historinë sesa për të tashmen. “Unë vlerësoj që sigurisht zoti Berisha është një nga personat më të rëndësishëm të PD-së. Kur kam folur në një intervistë më parë, unë kam thënë një gjë që shumë njerëz e keqinterpretuan, nuk e kuptuan etj. Unë zotin Berisha do të doja ta shihja vërtet si njeriun i cili do ishte garant në PD, por jo vetëm në PD. Zoti Berisha mund të luante atë rol të jashtëzakonshëm për afrimin e shqiptarëve të Kosovës, shqiptarëve të Malit të Zi, të Shqipërisë. Është i vetmi njeri, i cili mund të luante rolin e një lloj ati në të gjithë këto treva shqiptare në sensin e bashkimit, të krijimit të strategjive ekonomike, strategjive  kulturore, për afrimin shpirtëror të tyre. Ishte një person, i cili do ta bënte në mënyrë të jashtëzakonshme këtë rol, por zoti Berisha thotë shumë shpesh se nuk ka ndërmend të punojë për historinë, do të punojë për të sotmen. Është i mirëpritur që të punojë për të sotmen, por unë vetë do të doja shumë që ta shikoja në këtë rol,” tha Doda në një intervistë për Ilva Taren.

Ajo thotë se nuk ka pasur kurrë grupim të Olldashit në PD, por flet për filozofinë e Olldashit.

“Pak a shumë në aksionin tim politik të gjithë këtyre viteve, unë kam pasur kryetar grupi zotin Olldashi dhe pothuajse çdo gjë në filozofinë tonë të drejtimit e kemi ndarë bashkë dhe ajo që ne arritëm të kuptonim, jo vetëm në Fier, por në të gjithë pjesën ku kishim mundësi që të takonim, ishte një lloj pezmatimi i demokratëve. Pezmatim i cili vinte nga një mënyrë jo e drejtë e të bërit politikë, sidomos me aleatin e fundit. Ka qenë një tezë e përsëritur e zotit Olldashi, një gjë që ne e kemi folur shumë shpesh bashkë. Fakti që arritëm në një moment të caktuar që zëvendësuam filozofinë me matematikën. Kjo është një gjë që nuk duhet ta bëjë kurrë politikani sepse politikani po nuk i tha gjerat me zemër, nuk ka asnjë lloj mundësie që të ngjisë dhe të krijojë frymë dhe të krijojë besim tek njerëzit”.

/dita/