24 janar 2014- Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Artan Didi zhvilloi një takim gjatë paradites së sotme me Avokatin r Popullit, Igli Totozani. Në fjalën e tij pas takimit Didi u shpreh në lidhje me shpërthimet e fundit se një nga problemet kryesore është shitja e paligjshme e kartave të telefonit. Gjithashtu, Didi siguroi qytetarët se pavarësisht ngjarjeve të fundit kriminale, situata e sigurisë në vend është normale.  

" Siguria publike përgjithësisht është një situatë normale sigurie. Ka vërtet shqetësimet e veta dhe një fenomen që po bëhet i shpeshtë është përdorimi i lëndëve eksplozive. Ka psita të ndryshme dhe ne po hetojmë. Një nga këto është problemi i shitjes së kartave nga kompanitë e telefonisë celulare. Po e shikojmë edhe në aspektin e përmirësimeve ligjore. Ka nevojë për përmirësim në kohë që kompanitë celulare nuk i përgjigjen kërkesave të policisë për të përparuar në hetime lejon që kartat e tyre të shiten pa kriter. Ne jemi në fazën e hetimeve dhe nuk mund t’ju them më. Nuk bëhet fjalë për trafik të lëndëve eksplozive sepse ne lëndët eksplozive i kemi këtu që nga 1997. Bizneset që kryejnë punime në rrugë apo veprimtari minerare përdorin eksploziv. Situata e kontrollit nuk është në masën e duhur. Një nga masat që do marrim është ta vendosim këtë kontroll nën masat e policisë", u shpreh Didi.   

Nga ana e tij Totozani deklaroi se do të zhvillohen çdo muaj takime me policinë për të paraqitur problemet që vijnë në zyrën e Avokatit të Popullit. Ai u shpreh se mbështet maksimalisht policinë në luftën kundër krimit të organizuar dhe u bëri apel qytetarëve që të bashkëpunojnë. “Biseduam dhe shkëmbyem pikëpamje mbi rendin publik. I shpreha zotit Didi mbështetjen maksimale për të gjitha përpjekjet që policia e shtetit po ndërmerr. Krimi ka gjithmonë shkaqe ekonomike dhe sociale. Biseduam edhe për të drejtat e njeriut që janë shqetësim i AP. Në këtë kuadër kemi marrë disa vendime të rëndësishme së bashku. Së pari puna e përbashkët do vazhdojë me intensitet. Mora garancinë dhe sigurinë që polica e shtetit do jetë e hapur ndaj monitorimet e AP. Një grup pune i përbashkët do të mblidhet mbi rekomandimet e Avokatit të popullit dhe për të diskutuar të gjitha shqetësimet që vijnë te AP për policinë”, tha Totozani.