24 janar 2014 – Opozita braktisi dje Parlamentin në shenjë proteste ndaj vendimit të maxhorancës për të zëvendësuar dy kandidatet e PS-së në qarkun e Lezhës, të cilat kanë lënë mandatin, me Arben Ndokën. Për rreth 40 minuta deputetët e PD-së akuzuan shumicën se është nënshtruar ndaj mafies kur i detyroi dy zonjat të mos pranojnë ushtrimin e mandatit të fituar më 23 qershor. Gjatë replikave Kodheli kujtoi një rast kur Sali Berisha i ka shpëtuar jetën të atit të saj. Rasti të cilit Kodheli i referohet i përket periudhës para viteve ‘90. Pjetër Kodheli, i ati i ministres së Mbrojtjes, ka pësuar një infarkt në zemër dhe është dashur ndërhyrja e menjëhershme e fqinjit të tij, kardiologut Sali Berisha, për t’i shpëtuar jetën. Familjet Kodheli e Berisha jetonin afër njëra-tjetrës në një nga largjet e Tiranës. 

DEBATI

Pas replikave mes deputetëve të PD-së dhe ishkryesueses së listës në qarkun e Lezhës, Mimi Kodheli, ish-kryeministri Berisha tha se kjo është një ditë e zezë e Parlamentit, duke e cilësuar atë edhe ditën më të turpshme pas vrasjes së Azem Hajdarit. “Kjo është një ditë e zezë, kjo është një ditë e rëndë në historinë e këtij Parlamenti. Nga një vend ku javë për javë dhe më shpesh dhunohen në mënyrën më brutale nënat, motrat, gratë shqiptare, në një vend ku dhuna familjare ndaj grave është bërë një problem madhor kombëtar. Ne sot në Parlament i nënshtrohemi mafies, tentakulave të saj”, u shpreh Berisha. Sipas tij, me një kompromis të turpshëm Rama dhe Meta po përzënë nga Parlamenti dy zonja për t’iu hapur rrugën të fortëve dhe mafies. Berisha ironizoi edhe deklaratën e Mimi Kodhelit, sipas së cilës Mejreme Delishi u detyrua ta lërë mandatin për shkak të pamundësitë shëndetësore. “Ky Parlament ka rregullat e veta dhe ka trajtimin e vet ndaj deputetëve të sëmurë, ka solidaritetin e vet ndaj deputetëve të sëmurë. Po jo flakjen, siç proklamon ti sot këtu. Ka një kufi Mimi-kofidentja, dhe mos kalo të gjithë kufijtë. Mos tejkaloni, nuk kam çfarë të them kur gruaja bëhet antigrua”, tha më tej Berisha. 

KODHELI

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, reagoi pas fjalës së Berishës, duke i kujtuar nderin që ai i kish bërë babait të saj, por duke e sulmuar për akuzat e tij. “Ne të dy njihemi shumë herët. Unë kam burrninë si askush tjetër në Parlament të them dy gjëra sot: jetën e babait tim ta kam borxh dy herë dhe burrash akoma e përmend këtë gjë. Për të tjerat me mua nuk krahasohesh, sepse në CV-në time nuk ka pasur dhe nuk ka për të pasur as sot, as deri sa të mbyll sytë, as vrasje, as hajnia”, iu drejtua Kodheli.

/panorama/