TIRANE, 9 janar 2014 – Presidenca e Republikës i rikthen Galerisë Kombëtare të Arteve 12 arti në pikturë dhe skulpturë, te cilat i ishin marrë Fondit të GKA-së nga Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë për arsye ekspozimi në ambientet e institucionit.
“Aksioni i verifikimit dhe kthimit të veprave në GKA ka nisur disa javë më parë nga drejtori Artan Shabani dhe stafi i GKA dhe po kryhet në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse. Falë kësaj pune, sot, institucioni i Presidentit të Republikës i dorëzoi GKA-së, 5 piktura dhe 7 skulptura. Veprat në fjalë janë marrë nga Galeria e Arteve në vitin 1981 dhe 2005 me të drejtën e ekspozimit në Institucionin e Presidentit të Republikës. Nga 14 vepra të dokumentuara, u bë i mundur rikthimi i 12 syresh, ndërsa 2 vepra të tjera mbeten për procedim të mëtejshëm.”- thuhet në njoftimin për mediat.
Veprat e dorëzuara nga Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë janë: Vangjush Mio “Peizazh me rëke”, Arben Basha “Peizazh industrial”, Zef Kolombi “Kostum shkodran”, Sali Shijaku “Fshati kufitar”, Qirjako Meniko “Mijëra në aksion”, Ilir Hoxha “Gjyshja” skulpturë në dru, Adnan Bushati “Vajzë” skulpturë në dru, Vladimir Topi “Onufri“ skulpturë në dru, Pirro Dollaku “Rilindasi” skulpturë në gur, Vladimir Kaçaku “Komiti” skulpturë në gur, Sofokli Koci “Ditë feste”, Mihal Rama Vazo dekorative në qeramikë.
“Pas një procesi jo të lehtë verifikimi, i cili është duke vazhduar, brenda një kohe të shkurtër, falë edhe mirëkuptimit të titullarëve të institucioneve shtetërore përgjegjëse, është realizuar kthimi në Fondin e GKA-së i një numri të konsiderueshëm veprash. Me këtë rast, shprehim falenderime për insitucionet përgjegjëse për bashkëpunimin dhe i inkurajojmë të vazhdojmë punën e nisur. Këto vepra që mbajnë firmën e artistëve më një njohur të pikturës dhe skulpturës shqiptare janë shpërndarë në disa institucione. Një pjesë e tyre janë ende në gjendje të mirë, disa kanë pësuar dëme të konsiderueshme, ndërsa të tjera kanë humbur. Qëllimi i këtij akti, që po ndërmerret nga Drejtori dhe stafi i Galerisë Kombëtare të Arteve, është që kjo pasuri e çmuar kombëtare të shpëtohet, të restaurohet dhe të ruhet në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, për t’u bërë e ekspozueshme për publikun.”- nënvizon Galeria e Arteve.





