9 janar 2013 – Eurodeputetja Doris Pack, i kërkon kryeministrit Edi Rama ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar në këmbim të statusit kandidat. Eurodeputetja Doris Pack, hedh poshtë mundësinë e ndikimit të ekstremistëve në Europë për mosdhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Madje, ajo e konsideron këtë pretendim si qesharak. Ajo gjithashtu u shpreh se për statusin nuk duhet t’i vihet gishti Europës, por të drejtohet gishti nga vetja për të arritur reformat e kërkuara nga BE. Sipas Pack, ende ka shumë reforma që nuk janë ndërmarrë për të përfituar statusin e vendit kandidat. Ajo ka insistuar që të bëhet më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

“Ju duhet të shihni veten tuaj para se të drejtoni gishtin për nga Europa dhe nga ekstremistët e saj. Janë shumë reforma që ende nuk janë kryer. Kërkohen rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim dhe kjo është një gjë e ditur. Nga ana tjetër të gjithë e kanë në mendje dhe e dinë se çfarë ka ndodhur në vitet e shkuara. Bojkoti në Kuvend padyshim që ka ndikuar dhe sigurisht që ka krijuar shumë dyshime e pikëpyetje. Opozita e shkuar bojkotoi parlamentin për një vit e gjysmë dhe nuk votoi ligjet me shumicë të cilësuar. Dhe bëhet fjalë për ligje që përafrojnë akoma më tej Shqipërinë me Europën e Bashkuar. Ligjet e kërkuara janë miratuar, por pas ushtrimit të një presioni të fortë”, shprehet në fjalën e saj eurodeputetja Doris Pack. 

Statusi për Shqipërinë

Duke folur për çështjen e statusit, i cili nuk u aprovua nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian, Pack tha se në shtete të ndryshme të Europës ekziston një ndërgjegje se janë bërë përmirësime nga ana e shtetit shqiptar për të ecur në rrugën e bashkësisë europiane. Sipas saj, vëmendje më të madhe për Shqipërinë në rrugën e saj evropiane kanë patur shtete të tilla si Gjermania, Hollanda, Franca dhe Anglia. Eurodeputetja nënvizon se duhen patur parasysh shembuj të shteteve që janë anëtarësuar së fundmi në Union, të tilla si Bullgaria, Rumania dhe Kroacia. Sipas saj, këto shtete fokusuan politikën e tyre drejt një ndëshkimi të korrupsionit për të hyrë në familjen e madhe evropiane. Pack shprehet se duhet vijuar rruga e reformave kundër korrupsionit dhe krimit për të bërë hapa përpara drejt Bashkimit Europian.

“Shqipëria nuk duhet të inkurajohet. Ajo duhet të vijojë reformat për një ndëshkueshmëri të korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend. Statusi me shumë mundësi do të vijë në qershor. Statusi për vend kandidat në BE ka një rëndësi të madhe, pasi përkthen progresin e një vendi drejt Bashkimit Europian. Duhet kohë dhe nuk duhet të fajësoni të tjerët, por të ktheni gishtin nga vetja juaj për situatën e vendit”, ka qenë fjala e Pack.

Doris Pack ka folur edhe për çështjen e administratës. Sipas saj, nuk duhet të hiqen nga puna njerëz të aftë pa ngjyrime politike dhe që i shërbejnë shtetit, pavarësisht se cila qeveri vjen në pushtet. Ajo tregon madje se ka patur disa mesazhe të personave që ankoheshin se përse ishin larguar nga puna.

“Ka shumë persona të aftë që janë trajnuar madje dhe nga ne për ti shërbyer administratës publike në Shqipëri. Ata nuk janë persona partiakë, por thjesht i shërbejnë shtetit pavarësisht se cila qeveri vjen në pushtet. Nuk dua të paragjykoj pasi nuk kam shifra përpara meje, por mund të them se kam marrë mesazhe nga persona që janë hequr nga puna pa patur një arsye të marrjes së vendimit. Më vjen keq për këta persona dhe shpresoj që shkarkimet të bëhen me shumë kujdes”, përmbyll Doris Pack. 

 

http://www.sot.com.al/politike/doris-pack-i-kund%C3%ABrp%C3%ABrgjigjet-edi-ram%C3%ABs-mos-k%C3%ABrkoni-statusin-pa-luftuar-krimin-dhe