8 janar 2014 – Aleatët e Partisë Socialiste rrisin presionin dhe i kërkojnë kryeministrit Edi Rama ndarjen e posteve brenda muajit janar. Deri më tani, krerët e partive aleate nuk kanë marrë asnjë sinjal për ndonjë takim me kryeministrin e vendit, Rama. Në një prononcim për gazetën ‘Sot’, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, pohon se brenda këtij muaji pritet të zbatohet marrëveshja e koalicionit për ndarjen e kontributeve. “Presim që brenda muajit të bëhet ndarja e posteve për aleatët. Deri më tani, nuk kemi zhvilluar takim tjetër me Ramën”, tha Milo. Ndërsa kreu i PSV ’91, Petro Koçi sqaroi se janë hedhur sinjale se brenda muajit janar do të bëhet ndarja e posteve për aleatët e Partisë Socialiste.

“Janë dhënë sinjale se procesi i integrimit të aleatëve joparlamentarë në bashkëqeverisje do të nisë gjatë këtij muaji”, theksoi Koçi. Kryetari i Aleancës Demokristiane, Zef Bushati deklaroi se Rama nuk po zbaton marrëveshjen, për ndarjen e posteve. “Marrëveshja zbatohet kur të dy palët që kanë nënshkruar marrëveshjen kanë vullnetin politik por dhe atë moral për t’i qëndruar korrekt dokumentit që kanë nënshkruar. Ndodh që marrëveshjet prishen, prishje ose të njëanshme ose të dy palët bien dakord që marrëveshja të konsiderohet nul për t’i hapur rrugën një marrëveshjeje të re. Le të deklarojë Edi Rama mbas 100 ditëve që ka qeverisur pa demokristianet se nuk ka nevojë që në qeverisjen e tij të bëjnë pjesë demokristianët. Kjo deklaratë nuk është fundi i politikës demokristiane. Aleanca Demokristiane vazhdon të rritet si subjekt politik”, u shpreh Bushati.

Takimet

Zef Bushati pohoi se nuk ka zhvilluar takime me kreun e mazhorancës sa i përket ndarjes së posteve, duke shtuar më tej, se ADK nuk mban asnjë përgjegjësi për 100 ditët e qeverisë “Rama”. “Jo nuk kemi patur dhe as që kemi kërkuar të kemi. Rama nuk është pa eksperiencë në politikë. Ai e di se çfarë bënë. Rama e di që kaluan 100 ditë të qeverisjes së tij pa prezencën e demokristianëve. Çdo subjekt politik,çdo kryetar subjekti i bënë mirë llogaritë. Ka edhe nga ata që nuk dinë dhe i bëjnë keq. Por natyrisht vuajnë pasojat. Aleanca Demokristiane vendimin e saj do t’ia bëjë të ditur edhe drejtuesve të Partive Popullore Demokristiane Evropiane. Ata duhet ta dinë që Aleanca Demokristiane është anëtare e koalicionit "Aleanca për Shqipërinë Evropiane" por edhe që deri mbas 100 ditëve nuk është pjese e koalicionit qeveritar. Që do të thotë se ADK nuk mban asnjë përgjegjësi për çdo vendim e veprim të Qeverisë Rama gjatë 100 ditëve”, theksoi ai. Zef Bushati deklaroi se ADK po përgatitet për zgjedhjet lokale me synimin e marrjes së kreut në çdo komunë apo bashki. “ADK po përgatitet për zgjedhjet lokale me pretendimin që të garojë për postin e kreut në çdo bashki e komunë. Së shpejti do mbledhim këshillin kombëtar për të marrë një vendim”, siguroi Bushati. Joana Tafa

http://www.sot.com.al/politike/aleat%C3%ABt-rrisin-presionin-i-k%C3%ABrkojn%C3%AB-ram%C3%ABs-ndarjen-e-posteve-brenda-muajit